Një studim i ri shkencor ka zbuluar se ëndrrat nuk janë thjesht imazhe që shfaqen gjatë gjumit, por mund të ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen emocionale pas zgjimit. Sipas studiuesve, emocionet e përjetuara në ëndrra, si frika apo gëzimi, mund të përcaktojnë humorin me të cilin nis dita.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Sleep, përfshiu më shumë se 1.500 persona mbi moshën 18 vjeç. Pjesëmarrësit raportuan të dhëna mbi cilësinë e gjumit, kohën e fjetjes, zgjimet gjatë natës, kujtesën e ëndrrave dhe gjendjen e tyre emocionale sapo zgjoheshin.
Rezultatet treguan se personat që përjetonin frikë gjatë ëndrrave kishin rreth 7% më shumë gjasa të zgjoheshin me humor negativ. Në të kundërt, ata që shihnin ëndrra me emocione pozitive kishin më shumë mundësi të nisnin ditën me një gjendje të mirë shpirtërore.
Psikologia Nicole Andreoli shpjegon se ëndrrat janë një temë e shpeshtë në terapi, pasi shumë njerëz kërkojnë të kuptojnë lidhjen mes tyre dhe përvojave të jetës reale. Sipas saj, ëndrrat me ngarkesë të fortë emocionale mund të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën si ndihet një person pas zgjimit.
Ekspertët e gjumit theksojnë se shumica e ëndrrave ndodhin gjatë fazës REM, kur truri përpunon kujtime dhe emocione. Kjo fazë konsiderohet si një mekanizëm natyror që ndihmon mendjen të përballet me stresin dhe përvojat emocionale të përditshme.
Megjithatë, ndikimi i ëndrrave nuk është i njëjtë për të gjithë. Sipas studiuesve, personat që menaxhojnë më mirë emocionet mund t’i përjetojnë më intensivisht ëndrrat me ngarkesë emocionale, pasi truri i tyre përpunon më shumë ndjenja gjatë gjumit.
Për ata që zgjohen pas një makthi ose një ëndrre të rëndë, specialistët rekomandojnë ekspozimin ndaj dritës natyrale, aktivitet fizik të lehtë, dëgjimin e muzikës së preferuar dhe shmangien e analizimit të tepërt të ëndrrës.
Për të reduktuar makthet e përsëritura, ekspertët sugjerojnë teknikën e “provës mendore të ëndrrës”, ku personi imagjinon një version më pozitiv të ëndrrës. Gjithashtu, një rutinë e rregullt gjumi, kufizimi i kafeinës dhe alkoolit para fjetjes, shmangia e përmbajtjeve stresuese dhe mbajtja e një ditari të ëndrrave mund të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së gjumit.
Sipas psikologëve, ëndrrat nuk duhen parë vetëm si diçka shqetësuese, por edhe si një proces natyror përmes të cilit truri përpunon emocionet, kujtimet dhe ngjarjet e përditshme.
