Ndërsa shumë studiues kanë besuar prej kohësh se njerëzit e hershëm e përdornin zjarrin kryesisht për gatim, një teori e re propozon që përdorimi i tij fillestar kishte më shumë të bënte me diçka tjetër. Studiues nga Universiteti i Tel Avivit publikuan së fundmi një studim në Shoqërinë Mbretërore, duke ofruar një shpjegim të ri bindës pse njerëzit e hershëm mund ta kenë shfrytëzuar për herë të parë zjarrin. Sipas studiuesve, nevoja për të ruajtur mishin duke e tharë dhe tymosur atë ishte motivi kryesor pas zbulimit të zjarrit.
Këta njerëz të hershëm me shumë gjasa e përdorën zjarrin për të mbrojtur burimet e tyre të vlefshme ushqimore nga grabitqarët dhe bakteret, duke siguruar që “bankat” e mëdha të mishit të mund të ruheshin dhe konsumoheshin me kalimin e kohës. Siç vuri në dukje bashkautori Ran Barkai, “Origjina e përdorimit të zjarrit është një temë ‘e nxehtë’ midis studiuesve të parahistorisë në të gjithë botën. Përgjithësisht pranohet që deri 400,000 vjet më parë, përdorimi i zjarrit ishte i zakonshëm në kontekstet shtëpiake ka shumë të ngjarë për pjekjen e mishit dhe ndoshta edhe për ndriçim dhe ngrohje” duke sugjeruar që përdorimi i zjarrit i parapriu gatimit, duke shënuar një ndryshim në mënyrën se si u përdor fillimisht zjarri.
Studiuesit e përqendruan studimin e tyre në nëntë vende prehistorike që shtrihen midis 1.8 milion dhe 800,000 vjet më parë . Të gjitha këto vende përmbanin mbetje të kafshëve të mëdha, siç janë elefantët, hipopotamët dhe rinocerontët. “Nga studimet e mëparshme, ne e dimë se këto kafshë ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për dietat e hershme njerëzore dhe siguronin shumicën e kalorive të nevojshme”-shpjegoi bashkautorja Miki Ben-Dor. Këto kafshë, sipas studimit, ishin thelbësore për dietat e hershme njerëzore, duke siguruar sasi të mëdha kalorish. Një elefant i vetëm, për shembull, mund të ushqente një grup prej 20 deri në 30 personash për një muaj ose më shumë. Por ky burim i pasur ushqimi erdhi me sfidat e veta.
Sasitë e mëdha të mishit kërkonin metoda ruajtjeje për të parandaluar prishjen dhe për t’i mbrojtur ato nga brejtësit. “Një elefant ose hipopotam duhej të mbrohej dhe të ruhej për shumë ditë”-shtoi Ben-Dor. Zjarri, në këtë kontekst, ka të ngjarë të shihej si një mjet thelbësor për të siguruar jetëgjatësinë e këtyre rezervave të vlefshme ushqimore. Ndezja dhe mirëmbajtja e një zjarri ishte një detyrë që kërkonte shumë punë, që kërkonte një arsye bindëse dhe me efikasitet energjetik.
Për njerëzit e hershëm, kjo arsye ka të ngjarë të përqendrohej rreth mbijetesës. Duke analizuar mbetjet e këtyre kafshëve të mëdha, studiuesit llogaritën “avantazhin energjetik” të mundshëm të ruajtjes së mishit. Ata arritën në përfundimin se përpjekja për të mbajtur një zjarr do të kishte qenë e vlefshme, duke pasur parasysh përfitimet e mbrojtjes së burimeve kaq të mëdha ushqimore. Kjo teori përputhet me kërkime më të gjera që tregojnë se dieta e njerëzve të hershëm luajti një rol qendror në formësimin e zhvillimeve të tyre teknologjike dhe kulturore. Ndërsa kafshët e mëdha si mamuthët dhe rinocerontët filluan të pakësoheshin, njerëzit e hershëm iu drejtuan gjahut më të vogël. Ky ndryshim në praktikat e gjuetisë mund të ketë kontribuar në ndryshimet në përdorimin e zjarrit, duke përfshirë rolin e tij përfundimtar në gatim.





