Sot në media vërshoi lajmi se ish-kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla është arrestuar të premten në kryeqytetin e Italisë.

Adriatik Llalla prej dy muajsh ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana pasi është dënuar me 2 vite heqje lire për akuzën e fshehjes dhe mos deklarimit të pasurisë.

Burime për gazetën Shqip nga “Interpol Tirana” konfirmuan lajmin e arrrestimit të Adriatik Llallës në Romë të Italisë.

Nga Zyra Qëndrore Kombëtare e Interpol Tiranës, shkruanin se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjeter që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Falë informacioneve të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e këtij personi, si dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë italiane u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Për këtë trupa gjyqësore, ka vendosur ti sekuestrojë ish-kryeprokurorit pasaportën duke i kërkuar që të mos lëvizë nga Roma pa dhënë ajo një vendim mbi kërkesën për azil politik, duke e lënë të lirë. Sakaq prokuroria e posaçme pritet që ti drejtohet me kërkesë autoriteteve italiane që në ditët në vijim të ekstradojnë drejt vendit tonë ish-kryeprokurorin për të vuajtur dënimin me burg.

Kujtojmë se Adriatik Llalla është dënuar me 2 vite burg për, nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit për akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave dhe “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Në fund prokuroria I kërkoi gjykatës që llalla të shpallet fajtor për fshehjen dhe mos deklarimit të pasurisë, kërkesë kjo që u pranua nga të dyja shkallët e gjykimit./Gazeta Shqip