Besa Shahini ka që në vitin 2019 që shërben si ministre e Arsimit pas një periudhe si numri dy i dikasterin që menaxhon arsimin kombëtar.


E ardhur jo nga katedrat e mësuesisë, por nga radhët e organizatave të shoqërisë civile, e aktivizuar në Kosovë, ministrja e re, nuk se ka sjellë as ajrin e freskët e organizimit civil për të shtyrë punët në administratat përgjithësisht të ngathëta shqiptare, e as nuk ka promovuar talente të rinj që do të pilotonin ide të reja në shkollat shqiptare.


Mandati i zonjës Shahini, duket se nuk ka pasur një prioritet ekstra, siç u vu re edhe në interpelancën parlamentare që zhvilloi sot.


Ajo renditi, çështjet e emërimit të mësuesve nëpërmjet portalit, tekstet cilësore, menaxhimin e burimeve njerëzore, maturën shtetërore etj.


Ndërkohë që u vendos si ministre pikërisht pas protestave të studentëve për t’i dhënë një shtysë më shumë kushteve dhe cilësisë së Universiteteve publike.


Megjithatë, ajo që më shumë e identifikon Besa Shahinin si ministre e arsimit, është diskursi publik që ajo përdor dhe që u vu re edhe në interpelancën e sotme në Kuvend.


Një diskurs që është i “përmbytur” nga një standard të folure më shumë komune sesa institucional, më shumë një e folur muhabeti plot me steriotipe e klishe  e një zone të veçantë nga ajo vjen, sesa një fjalor i plotë i një Ministër të Arsimit Kombëtar.


E këtu nuk është aspak fjala, nëse një ministër, apo figurë publike, në diskursin e tij, sjell edhe nuancat e krahinës nga vjen, pasi kjo e pasuron edhe më shumë të folurën publike.


Kur flet në publik, Profesor Rexhep Qosja, ai është jo vetëm i kuptueshëm për të gjithë, por gjuha e tij, përthithet dhe akumulohet me lehtësi nga i gjithë publiku sin ë Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni apo edhe në Çamëri e deri tek arbëreshët e Italisë.


Ngase gjuha e kultivuar e profesor Qoses, e sjell nuancën zonale apo dialektore me koloritet që e pasurojnë shqipen e pasur. Një sintaksë super perfekte dhe e rregullt gjuhësore që bën që kushdo që e dëgjon të përfitojë e mësojë më shumë mbi artikulimin publik të shqipes.


Kur dëgjojmë sot pllakat e vjetra me zërin e Nolit të madh, shikojmë natyrisht një nuancë të pastër të së folmes kolonjare, edhe pse ai kishte lindur në kolonitë shqiptare të Turqisë, dallohet e folura e toskërishtes, megjithatë sintaksa dhe mënyra e artikulimit është jo vetëm një shqipe e kuptueshme, por një gjuhë e pasuruar që ndih këdo për ta përvetësuar.


E ministrja jonë e Arsimit, nuk kujdeset fare për këtë aspekt të rëndësishëm të së folurës në publik, për ta pasuruar, natyrisht edhe në funksion të postit të rëndësishëm që mban, atë të Edukimit Kombëtar.


Por përdor rëndom ndërthurje sintaksore e të përbërjes së fjalës që e dëmtojnë gjuhën shqipe.


Sot për shembull, ministrja Shahini përsëriti si edhe herë të tjera, fjalë që janë zhargon më pak se lokal, e që përdoren më shumë nga grupe moshore e jo krahina apo zona të trevave shqip.


Përdori disa herë termin “profitabile”, një fjalë që në shqip është krejt pa lidhje, pa logjikë, ku edhe një nxënës i arsimit të ulët mund të shkruajë fjalën e saktë: përftuese, apo përfituese, sipas qëllimin që sillet në këtë rast.


Një ministër i Arsimit, duhet të jetë më i kujdesshëm sesa një politikan profesionist, apo një analist që flet në publik.


Shqiptarët i kanë dëgjuar njerëzit e ditur nga Kosova si Dr. Ibrahim Rugova, Mehmet Kraja, Agim Vinca, Ali Podrimja e shumë e shumë shkrimtarë e akademikë të shquar që në ligjërimin shqip kanë sjellë freskinë e një ligjërimi që vjen nga trevat shqipe jashtë kufirit zyrtar.


E ata nuk e kanë përdorur asnjë fjalë apo term: “profitabil”.