Gazeta Shqip ka denoncuar prej dy ditësh se si FiBank ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin për të drejtën e privatësisë duke bërë publike llogaritë bankare të një qytetari. Në bashkëpunim edhe me Komisionin Hetimor parlamentar, FiBank ka shkelur edhe një sërë ligjesh e vendimesh të tjera.

Në ligjin për Bankat janë të paktën dy nene që shkelen. Neni 91 përcakton detyrimin e bankave, ashtu si për të ruajtur sekretin profesional. Pika dy e po këtij neni përcakton se kush ka të drejtë marrjen e këtij informacioni dhe në këtë listë nuk përfshihen as deputetët dhe as komisionet parlamentare, por përfshihen vetëm institucionet e drejtësisë dhe këtyre banka ka detyrimin që t’ua japë vetëm në rastet kur i cenohen interesat e veta. Neni tjetër që është shkelur me të dyja këmbët me kërkesën e deputetëve është ai që lidhet me sekretin e informacionit të klientit. Ky sekret përcaktohet në dy pika në nenin 125 të ligjit për bankat.

Shkeljet vazhdojnë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Llogaria bankare është pjesë e këtyre të dhënave dhe as numri e as të dhënat e tjera që lidhen me të nuk mund t’u jepen të tretëve pa pëlqimin e klientit, me përjashtim të rasteve kur këto të dhëna kërkohen nga organet hetimore.

Deputetët e bazojnë kërkesën e tyre në disa nene, si neni 4, pika 2 e këtij ligji, neni 15 pika 1 dhe neni 17 po pika 1 e tij. Por çfarë thonë konkretisht këto nene? Le t’i marrim me radhë. Pika 1 e nenit 4 është e përgjithshme. Ajo thotë se “Komisionet hetimore të Kuvendit ngrihen dhe funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe rregullave të përcaktuara në ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare”. Pra, në këtë nen nuk ka asnjë referim dhe asnjë hapësirë interpretimi se deputetët mund të marrin llogaritë bankare të qytetarëve me këtë parashikim.

Pika tjetër është pika 1 e nenit 15. Kjo pikë u njeh të drejtën deputetëve që të kërkojnë informacione zyrtare dhe jozyrtare që kanë të bëjnë me objektin e çështjes që po hetojnë. Problemi është se ligji e përcakton qartësisht se këto informacione duhet të jenë publike. Të dhënat në lidhje me llogaritë bankare dhe historikun e transfertave nuk janë të tilla. Neni tjetër që i referohen deputetët është neni 17 pika 1. Edhe në këtë nen nuk ka asnjë hapësirë “manovrimi” apo dyshimi me anë të të cilit deputetëve t’u jepet e drejta për të kontrolluar xhepat e qytetarëve.

Ka një arsye se përse ekziston kjo mburojë e shumëfishtë ndaj privatësisë së qytetarit. Plotësimi i këtyre kërkesave të deputetëve mund të shndërrohet në një precedent të rrezikshëm, sepse sipas kësaj logjike të ndjekur nga deputetët në kërkesat e tyre drejtuar bankave të nivelit të dytë, cilido person i veshur me kostumin e deputetit mund t’i dërgojë një shkresë për të ditur gjendjen e llogarisë së një qytetari dhe me këto të dhëna, si shembull, ta shantazhojë më pas në fushata elektorale për t’i marrë votën.

Pra, përgjigja ndaj këtyre kërkesave ka pasojat e një efekti domino, që potencialisht nga shkelja e privatësisë dhe sekretit bankar të shndërrohet në një shkelje edhe më të rëndë, që nga shantazhi, kanosja e deri te shkelja e së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, që me Kodin e ri Zgjedhor përbëjnë gjithashtu vepër penale.

Në një demokraci përfaqësuese, siç ka zgjedhur të qeveriset Shqipëria që prej 1992-it, qytetarët zgjedhin çdo katër vite deputetët, pra përfaqësuesit e tyre. Këta të fundit, në këmbim statusit, imunitetit, benefiteve të tjera si rrogat e dietat, e deri në mbulimin e shpenzimeve të papritura për arsye shëndetësore nga paratë e qytetarëve pranojnë, që të heqin dorë nga disa të drejta që lidhen me privatësinë.

Mes këtyre të drejtave janë edhe llogaritë bankare e pasuritë e tjera që deputetët kanë në emër të tyre. Pra, për të ruajtur statusin e të zgjedhurit dhe përfaqësuesit, deputetët çdo vit deklarojnë pranë institucioneve kontrollore, në rastin e Shqipërisë pranë ILDKPI të gjithë pasurinë e tyre.

Ky mekanizëm nuk është shpikje shqiptare, por standard ndërkombëtar përmes të cilit u mundësohet qytetarëve që të kontrollojnë dhe gjykojnë nëse ligjvënësi që kanë zgjedhur e votuar e justifikon pasurinë e vendosur, apo duke shfrytëzuar postin ka shitur interesat e qytetarëve për të përfituar vetë në mënyrë të paligjshme.

Por, në Shqipërinë e njëmijë e një çudirave çudia e radhës mbërrin nga Komisioni Hetimor Parlamentar, ku është përmbysur ky parim dhe nuk janë qytetarët ata që po kontrollojnë xhepat e deputetëve, por deputetët që duan të rrëmojnë në mënyrë të paligjshme në xhepat e qytetarëve.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.