Sot emisioni “Fiks Fare” në Top Channel sjell një skandal që ka ndodhur me groposjen e pulave të ngordhura nga disa kompani që merren me mbarështimin e pulave.

“Fiks Fare” ka zbuluar se dy kompani në mënyrë të jashtëligjshme kanë groposur pulat pa asnjë leje nga institucionet përkatëse dhe pa kryer procedurën strikte të dezinfektimit, inventarit dhe protokollimin e numrit të pulave të ngordhura në prani të specialistëve.

“Fiks Fare” ka zbuluar vendet ku janë groposur pulat e ngordhura. Gjatë punës së grupit të xhirimit në terren, jashtë rrethimit të stabilimentit të kompanisë OVITAL në fshatin Kullë të Sukthit, e cila kishte groposur pulat në një vend fare pranë qendrave të banuara dhe pranë një kanali vaditës, disa persona që prezantohen si përfaqësues të kompanisë së mbarështimit të pulave kërcënuan me jetë gazetaren dhe operatorin e “Fiks Fare” dhe thyen kamerën.

Të gjendur në këto rrethana, gazetarët lajmërojnë policinë e Komisaritatit Manëz, të cilët arritën në vendngjarje pas 40 minutash dhe kryen procedurat për ngjarjen e ndodhur.

Në vendngjarje mbërriti edhe shefi i komisariatit të policisë. Më pas grupi i xhirimit të Fiks Fare, u shqërua nga forcat e policisë doli nga Sukthi, ku dhe ndodhi përplasja e tyre me punonjësit e OVITAL.