Teksa zgjedhjet e 14 Majit përfunduan pa ndonjë incident të madh, gjithashtu numërimi për kryebashkiakë e këshillat bashkiakë është konfirmuar edhe nga KQZ, ajo që mbetet tashmë është pranimi i rezultatit nga të gjitha palët.

Por çfarë duam të sjellim sot në vëmendje janë banorët e Bërxullës.  Prej tetë muajsh këta banorë protestojnë pranë pronave të tyre kundër projektit të rrugës Thumanë- Kashar.

Sjellim në kujtesë se çdo të dielë ata kanë bllokuar rrugën drejt Rinasit dhe kanë kërkuar informacion nga qeveria për projektin, dëmshpërblimin që do të përfitojnë si dhe pajisjen me dokumente për pronat e tyre.

Madje shpesh herë protesta ka patur dhe nota dhune, përplasje me policinë apo edhe banorë që kanë deklaruar vetëvrasjen për shkak të kësaj situate.

Në vazhdën e protestës së tyre, banorët hasën në zgjedhjet e 14 Majit dhe tashmë kishin në dorë mundësinë e artë për të shprehur vullnetin e tyre kundrejtë partive politike që qeverisin apo dëshirojnë të vijnë në krye të vendit.

Rezultati i votuesve të Bërxullës ishte ‘mahnitës’! 

Siç edhe konfirmohet nga shifrat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 14 maj banorët e Bërxulës kanë votuar në 12 qendra votimi dhe rezultati ka qenë i thellë në favor të Partisë Socialiste.

Kandidati i PS-së, Blerim Shera ka marrë 2266 vota (61.11%), ndërsa kandidati i BF-së Indrit Hoxha ka marrë 1442 vota (38.89%).

A është kjo një ironi, dakordësi e heshtur, frikë, bindje e nënshtruar nuk mund të përcaktojmë, por pas këtij rezultati të vullnetit të lirë të banorëve të Bërxullës, tashmë duket se “nuk kanë ndonjë arsye” për të protestuar sërish.