Kur kanë mbetur edhe dy vite nga afati kushtetues 5-vjeçar për procesin e Vetting, më pak se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve në listë e kanë kaluar në këtë proces.
Vettingu nisi në vitin 2017 për të kontrolluar me një mandat pesë vjeçar të shkallës së parë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe 9 vite të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rreth 800 gjyqtarë e prokurorë. Por në vitin e tretë në sitë kanë kaluar 290 subjekte, mesatarisht 100 për çdo vit, as gjysma e subjekteve, të cilat pritet të rikontrollohen si pasojë e procesit të rivlerësimit.
Nga 282 subjekte për të cilat Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hapur hetim, 257 prej tyre tashmë kanë një vendim. 105 gjyqtarë e prokurorë janë shkarkuar, dy janë pezulluar për një vit me kushtin që të rindjekin shkollën e magjistraturës ndërsa 117 prej tyre janë konfirmuar në detyrë, 17 përfundim procesi pa vendim marrje.
Ndërsa për 35 subjekte të tjera është pranuar me vendim dorëheqja e tyre pa të drejtë rikthimi në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme dhe 8 dorëheqje përpara hyrjes në fuqi të ligjit të Vettingut.
Në rast se do të vazhdohet me këto ritme për Vetting-un e gjyqtarëve, prokurorëve, ndihmës ligjorëve deri në vitin 2022, kur bëhet edhe afati kushtetues për pesë vite, nuk dihet nëse do të mund KPK-ja të kalojë në filtër së paku në shkallën e parë të 800 subjektet.
E njëjta situatë me shifra të ulwta paraqitet edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vetëm 121 subjekte janë shqyrtuar dhe vetëm për gjysmën e tyre ka një vendim.
Të shkarkuarit të gjithë në Strasburg
Gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar në të dyja shkallët e vettingut kanë ngritur një shoqatë me emrin “Drejtësi për drejtësinë” dhe i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut me një letër mbi procesin.
Teksa kërkojnë të marrin pjesë si palë e interesuar në 10 ankimet e bëra në këtë gjykatë nga ish-kolegët e tyre, në emrin e shoqatës shkruajnë se me anë të letrës kërkojnë të shprehin shqetësimin për procesin e rivlerësimit që po ndodh në Shqipëri. Ish magjistratët e konsiderojnë procesin të politizuar, ndërsa citojnë Kryeministrin Edi Rama, që e konsideron Reformën në Drejtësi si “Revolucionin Francez” në një fjalim të datës 4 tetor, në Konferencën Rajonale “It’s All About Justice”.
Më tej, gjyqtarët dhe prokurorët pretendojnë se anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nuk kanë kualifikimet e duhura dhe janë emëruar në atë detyrë, në disa raste edhe në shkelje të parashikimeve ligjore. Ndërkohë që argumentojnë se zgjedhja e tyre është bërë nga Kuvendi, pa pjesëmarrjen e asnjë përfaqësuesi të gjyqësorit dhe të gjithë vijnë nga radhët e administratës.
Por, ajo që përbën një problematikë të shtuar lidhet me vonesat e Strasburgut në vendimmarrje. Kjo për shkak se Shqipëria nuk është vend i Bashkimit Europian dhe prioritet në gjykim janë çështje të personave që kanë probleme me Drejtësinë në Evropë.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.