Një i ri humbi jetën mbrëmë në Kamëz në dhomat e izolimit të Komisariatit 5. Një zjarr shkaktoi tragjedinë teksa efektivët e policisë shikonin përballjen e Shqipërisë me Spanjën.

26-vjeçari Arben Mici i akuzuar për dhunë brenda familjes ndodhej në të njëjtën dhomë izolimi me Dilaver Idrizin, 62-vjeçarin që akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, pasi hodhi bashkoëshorten e tij nga ballkoni i katit të tretë të pallatit ku jetonin. 

Ishte ora 21:00 kur totalisht në shkelje të ligjit, Mici është lejuar të ndezë një cigare dhe të dalë në korridor.

Më pas ai është kthyer në qelinë e izolimit dhe i ka vënë flakën dyshekut me çakmakun që iu la për të ndezur cigaren. Më pas ka dalë që aty dhe me shpejtësi është futur në banjo me shpresën se efektivët do të hutohen nga zjarri e ai do të kishte mundësinë të arratisej. Por nuk ia doli dot. Dhomat e izolimit në komisariatin numër 5 janë në katin e nëndheshëm, bodrum e nuk kanë dritare. Dhomat e reja të izolimit janë ndërtuar por nuk janë vënë në funksion vetëm se mungonte një zgarë hekuri.

Për pasojë djegia e sfungjerit të dyshekut ka bërë që i gjithë kati të mbushet nga tymi e 26-vjeçari u bllokua në tualet ku dhe u gjet i vdekur si pasojë e asfiksisë. Dëme të mëdha ka pësuar edhe Dilaver Idrizi. Duke qenë se po shikonin ndeshjen, efektivët kanë ndërhyrë me vonesë. Konkretisht ka qenë inspektori Hajredin Boja ai që është futur në bodrume, por ka mbetur edhe vetë i plagosur.

26-vjeçari Arben Mici në vetëm dy muajt e fundit ishte shoqëruar mbi 22 herë në polici. Ai është denoncuar nga nëna e tij për dhunë, të cilën e rrihte vazhdimisht. Lajmin familja e tij e ka marrëvesh sot nga policia dhe kanë hapur dyert e mortit. Konkretisht, i ati ka treguar përpara kamerave se ishte nisur t’i dërgonte rrobat në komisariat kur ishte informuar për ngjarjen.

Efektivi Hajredin Boja dhe i paraburgosuri Dilaver Idrizi ndodhen në repartin e djegieve plastike në QSUT-të, në gjendje delikate por jashtë rrezikut për jetën. Dëshmitë e tyre për ngjarjen, pritet të hedhin më tepër dritë mbi atë çfarë ka ndodhur brenda mureve të komisariatit nr.5.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vuri në pranga dy inspektor policie, Fatmir Isufi eHajredin Bojën që mbeti i plagosur. Gjithashtu ka nisur procedimi penal për dy inspektorët e tjerë, Lutfi Muça e Mark Marashi si dhe komisarin Ylli Çollaku. Të gjithë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën duke mos marrë masa në parandalimin e ngjarjeve të tilla dhe mosdhënie ndihme.  

Hetuesit ende nuk e kanë përcaktuar zyrtarisht autorin mes dy të arrestuarve, pavarësisht se rrethanat të çojnë tek Mici, por dhe Idrizi nuk duket se ka qenë pa rol. Ai dyshohet se ka thurur të gjithë planin me 26-vjeçarin, por ekzekutimin e tij ia ka lënë të riut në dorë.