Mediat ditët e fundit janë dominuar nga dy histori, që duket se kanë ngjallur interes të lartë tek ndjekësit online të të gjitha portaleve, edhe pse nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Dy histori me “mbretër”, por që në fakt vetëm njëri është i vërtetë dhe na bën krenarë.

Java nisi vrullshëm, më një “mbret” të vetëshpallur të Instagramit dhe Tik-Tok-ut, të quajtur Kozak.

I riu, që ishte futur në sherr më një prej personave më të rrezikshëm, i cili vuan dënimin në një burg në Greqi, u mor peng dhe u dhunua nga katër persona. “Mbreti” i vetëshpallur u diskretitua publikisht nga njerëz të Fabio Dushkut, ndërsa sherri mes tyre siç duket kishte ndodhur online, pasi ky i fundit pretendonte se e kishtë sharë nga familja. Si për ta bërë më prekëse sfondin e ngjarjes, u desh ndërhyrja e reperit Stresi për të shuar gjakrat.

Ndërsa mbrëmë, në Shqipëri u fol më të drejtë për një tjetër mbret. Jo të vetëshpallur, jo të rremë. Një mbret i formuar me punë sistematike dhe me djersë, dhe jo nga fama e rremë që të japin rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për Florjan Markun, boksierin shqiptar që u shpall kampion bote, ndërsa mbi supe mbante flamurin kuqezi.

Djaloshi muskuloz triumfoi në ringun e “Tottenham Hotspur” ndaj ukrainasit Maxim Prodan, duke u shpallur kampion bote në peshën e mesme të IBF dhe duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët. 

Në fakt Marku nuk njihej si “mbret” dhe as nuk ishte vetëshpallur. Ishin me qindra mijëra shqiptare, krenarë me arritjet e djaloshit, që e shpallen “mbret” të shqiptarëve Florian Markun.

Dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk është se u mungojnë shembujt pozitivë, që po të doni mund t’i quajmë “mbretër” dhe “mbretëresha”. Janë të tillë sepse titullin ua japin arritjet e tyre.

Kemi Dua Lipën, këngëtarja shqiptare me famë botërore që ka fituar disa nga titujt kryesore në muzikë. Jo më pak “mbretëresha” janë Rita Ora, Bebe Rexha apo Ava Max.

Kurora plot shkëlqim qëndron edhe mbi kokën e sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho.

Diva e skenave të botës së sotme operistike, Ermonela Jaho njihet veçanërisht për portretizimet e saj të Violetta (La traviata), Madama Butterfly dhe Suor Angelica (Il trittico) dhe shumë role të tjera kur ajo lë gjurmët e saj të pashlyeshme në gjithçka që këndon.

Shkëlqimi i shqiptarëve, kudo në botë, nuk mungon as në fusha të tjera. Vetëm në futboll, me dhjetëra shqiptarë janë titullarë në disa prej klubeve më të mira në glob.

Florian Marku sapo na tregoi se kemi nevojë të promovojmë mbretër të vërtetë, ndërsa më xherdanin e tij të artë, grisi “kurorën” e një mbreti të rremë./Gazeta SHQIP