Viti i ri shkollor po troket por askush nuk di të thotë se do të hapen apo jo shkollat këtë shtator. Ndonëse ministria e Arsimit e ka shpallur datën e nisjes së sezonit të ri shkollor, akoma nuk është komunikuar data e regjistrimit apo shpërndarjes së librave, edhe pse jemi dy javë para nisjes së vitit të ri shkollor.


Por a jemi vonë për të pasur një ide se çfarë do të ndodhë në shtator?


Eksperti i çështjeve të arsimit, Ndriçim Mehmeti i kontaktuar nga gazeta “Shqip” thotë se Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera të rajonit është shumë prapa me planin e saj për vitin e ri shkollor 2020-2021.


Mehmeti është pro hapjes së shkollave, në varësi të ecurisë së pandemisë dhe sipas tij, ky është sot plani A dhe për vendet e tjera të rajonit.



“Unë mendoj se shkollat duhet të hapen dhe në këtë rast i referohem fqinjëve tanë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës (që e ka si plan A, sigurisht në varësi të situatës së pandemisë), Italisë dhe më tej: Holandës, Britanisë së Madhe, ShBA, Belgjikë etj. Po kështu ka një thirrje të hapur të OKB-së pak ditë më parë, për të bërë të pamundurën që në kushte rreptësishtë të kontrolluar me pak fëmije të rinisë mësimi në klasa.
Ne e kemi mundësinë, por jemi shumë vonë me përgatitjet dhe masat që duheshin marrë së paku dy muaj më parë. Këto masa duhet të shoqëroheshin edhe me buxhetin përkatës në përputhje me skenarët sesi do të bëhej mësimi online, i ndërthurur në klasë dhe në distancë, vetëm në klasë”, thotë eksperti çështjeve të arsimit për gazetën “Shqip”.



Megjithë rekomandimet e profesionistëve të shëndetësisë për të mos hapur dyert e shkollave pasi ato shërbejnë si vatra infeksioni e transmetimi të virusit nga fëmijët tek prindërit e gjyshërit, zoti Mehmeti është kundër zhvillimit të mësimit online sidomos në shkollat e mesme profesionale, sepse sipas tij nxit rritjen e nivelit të analfabetizmit.



“Studimi i Bankës Botërore, i kryer në muajt prill-maj 2020, jep alarmin se analfabetizmi funksional ndër nxënësit shqiptar do të jetë në shifrat 53-68%. Një studim i fundit i shoqatës zvicerane të aftësimit për Punë, publikuar më revistën “Monitor”, tregon se 50% e nxënësve të arsimit profesional, nuk kanë pasur akses gjatë mësimit online. Po ashtu ministrja Shahini pranoi se 10 mijë nxënës (që në gjykimin tim kjo shifër është edhe më e madhe), nuk kanë marrë pjesë afër në mësimin online. Pra ne mund të bëjmë mësim online, por efektiviteti i tij, do të jetë shumë i ulët”, thotë eksperti Ndriçim Mehmeti.



Por çfarë duhet të bëjnë autoritetet përgjegjëse që të garantojnë frenimin e përhapjes së pandemisë nga shkollat?


Ekspertët thonë se duhet hartuar sa më parë nga ministria e Arsimit një plan për të garantuar ambiente të higjienizuara, zhvillim të mësimit bazuar në protokollet e menaxhimit të pandemisë e mbështetur nga një buxhet përkatës. Eksperti Mehmeti thotë se kështu po veprojnë dhe vendet fqinje.



“Në vendet që na rrethojnë, Maqedoni e Veriut, Kosovë, Itali dhe gati në gjithë Evropën, janë gati të hapin shkollat në kushte të rrepat të kontrollit mjekësor që dikton situata e imponuar nga COVID-19. MASR duhet të kishte një plan të tillë që në muajin qershor dhe buxhetin përkatës sesi do të realizonte panin e saj , në rast se mësimi do të zhvillohej me grupe të vogla, në distancë apo i ndërthurur në distancë dhe në klasë”, thotë për “Shqip”, eksperti Ndriçim Mehmeti.



©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.