Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka dërguar në Prokurorinë e Korçës dosjen ndaj Enver Shahinasit, kreut vendor të IKMT-së, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me falsifikatorin serial, Arben Reli.
Gazeta “Shqip” ka denoncuar në vijimësi falsifikimet, shpërdorimin e detyrës, prerjen e pyjeve e një seri veprash të tjera penale për tjetërsimin e “Morava Resort” në “Montrelux”, prova të cilat kanë shërbyer si indicje për nisjen e dhjetëra procedimeve penale në Tiranë e Korçë. Madje, kemi denoncuar se falsifikatori serial, Arben Reli, ka krijuar një “bandë” me njerëz të drejtësisë, apo me prokurorë dhe gjyqtarë të shkarkuar nga Vetingu, të cilët vijojnë që të jenë aktiv në korridoret e institucioneve të drejtësisë, kësaj herë me influenca.
Ndërkohë, krahas këtyre personazheve, Reli ka munduar që të “bashkëpunojë” edhe me punonjës shtetërore, në bashki, kadastër apo edhe në Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Para pak ditësh një konflikt tjetër i pastër interesi u publikua, një shpërdorim detyre, e kreut të IKMT-së në Korçë, Enver Shahinasi, i cili nuk ka vepruar prej vitesh me radhë, duke lejuar Relin që të ndërtojë pa leje. Madje, nuk ka bërë asnjë inspektim, pasi nga ana tjetër, biznesi familjar që kanë në pronësi, kishte një marrëdhënie kontraktuale me falsifikatorin serial. Gazeta publikoi dokumente sesi bashkëshortja e kreut të IKMT-së së Korçës, Pranvera Shahinasi, është aksionere me 25 % në subjektin “Korça Gas”. Sipas kontratave dhe faturave tatimore, rezulton se subjekti “Korça Gas” ka furnizuar me gas subjektin “Montrelux”. Pra, një marrëdhënie biznesi mes kreut të IKMT-së dhe subjektit që duhet të kontrollonte.
Pas zbulimit të këtij skandali, ndaj Shahinasit u depozitua një kallëzim penal në SPAK, pasi ishte faktuar se Shahinasi qartësisht e ka përkrahur dhe miratuar ndërtimet pa leje të Relit, për të cilën mund të kenë përfituar disa privilegje. Pas veprimeve të para hetimore, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datën 23 maj 2022, ka dërguar dosjen për kompetencë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
“Bashkëlidhur ju dërgojmë për kompetencë kallëzimin e paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër shtatasit Enver Shahinasi. Nga përmbajtja e kallëzimit rezulton se në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë është nën hetim një procedim penal me të njëjtin objekt. Vepra penale për të cilën është bërë kallëzimi dhe subjekti kundër të cilit është bërë kallëzimi nuk përfshihen në fushën e nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, ku përcaktohet kompentenca e Prokurorisë së Posaçme” thuhet në dokumentin, që mban në fund firmën e drejtuesit të SPAK, Arben Kraja.