Është arreastuar ditën e sotme për llogari të SPAK Genc Tafili, i cili ishte i shpallur në kërkim për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës, Arben Zylyftari, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2000.
42-vjeçari Tafili kishte planifikuar të udhëtonte për në Stamboll ditën e Vitit të Ri kur u arrestua nga autoritetet gjermane në aeroportin e Frankfurtit.
Si Genc Tafili, por edhe vëllai i tij Admir Tafilin akuzohen dhe u dënuan për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftarit.Si fillim Genc Tafili kreu 17 vite burg nga 25 që u dënua dhe u lirua me kusht në vitin 2017 ndërsa u arratis më pas jashtë vendit. Ndërkohë që në maj të 2021 Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi vendimin duke kërkuar rikthimin në qeli të Tafilit.
Por, cila është historia e familjes Tafili, e cila prej vitesh jetoi mes vrasjeve, hakmarrjes dhe arratisë?
Bahri Tafili, i ati i Gencit dhe Admirit, ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohej se kishte vrarë Gëzim Gecin, pas një konflikti për çështje pronësie.
Historia nis pikërisht më 2 gusht të vitit 2000, teksa Shefi i Krimeve në Policinë e Shkodrës, Prelë Pjetrushi së bashku me disa efektivë të tjerë po kryenin një kontroll rutinë, kur vunë re se Bahri Tafili u largua me vrap dhe u mbyll në banesë në mënyrë që t’i shpëtonte kontrollit.
Petrushi dhe efektivët ndërmorën tentativën për ta arrestuar, por u përballën me breshëri plumbash. Ishin vetë Bahri Tafili dhe djali i tij Genci ata që qëlluan drejt forcave të policisë, duke i detyruar këta të fundit të kërkojnë përforcime.
Në kushte të tilla, në krye të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë vihet Drejtori i Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari. Ky i fundit qëllohet në gjoks pas disa minutash shkëmbim zjarri, ndërsa ndërroi jetë pas disa orësh në spitalin e Shkodrës.
Efektivët e policisë ekzekutojnë të dyshuarin Bahri Tafili dhe arrestojnë të birin Gencin. Ai u dënua me 25 vjet burgim, por lirohet pas 17 vitesh nga Gjykata e Krujës, e cila i heq tetë vitet e burgut që i kishin mbetur.
Djali tjetër i Bahriut, Admiri u betua se do të hakmerrej ndaj atyre që i vranë babanë, duke shënjestruar kështu Prelë Pjetrushin. Teksa Genci ndodhej në qeli, Admiri nis të hakmerret dhe i bën atentat Pjetrushit, teksa ky i fundit ndodhej me shërbim në komisariatin e Malësisë së Madhe.
Pjetrushi mbeti i plagosur rëndë, ndërsa Admir Tafili u arrestua pas disa muajsh nga policia. Ndërkohë, oficeri i lartë i policisë Prelë Pjetrushi u largua në SHBA për arsye sigurie, por la pas familjen në Shkodër.
Një leje e dhënë nga nëpunësit e burgut të Shën Kollit për Admir Tafilin bëhet shkas për dy vrasje të tjera. Admiri mori leje 5-ditore më 2 tetor të vitit 2010 për të takuar familjarët, por kjo leje ishte një justifikim për t’u arratisur. Ai arrin arrin të largohet në sy të gardianëve, të cilët e ruanin para shtëpisë.
6 muaj pas arratisjes, konkretisht më 18 mars 2011, Admir Tafili qëllon për vdekje pas një prite pranë banesës së tyre, dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve Prelë Pjetrushi, shtetasit Nik dhe Gjovalin Pjetrushi. Këta të fundit ishin kthyer në atdhe për disa ditë pushim, por u ekzekutuan në mes të rrugës.
Tafili mbërrin në Tiranë dhe krejt i qetë ulet në një lokal në afërsi të Repartit Special RENEA. Konsumon një birrë dhe lajmëron policinë e Tiranës se ishte gati që të dorëzohej.
Gjykata e dënoi Admir Tafilin me burgim të përjetshëm, por ai u arratis nga Burgu i Drenovës në vitin 2013. Pas disa orësh, Admiri arrestohet bashkë me disa të dënuar të tjerë në afërsi të fshatrave të Librazhdit.