Lulzim Basha ka përsëritur në fakt për të disatën herë në fushatat zgjedhore me Edi Ramën se kërkon një përballje, apo debat mediatik me kreun e qeverisë shqiptare.
Kreu aktual i PD-së, e ka kërkuar këtë debat me Edi Ramën që në vitin 2011, kur kandidonte përballë tij për kreun e bashkisë së Tiranës. Kurse Rama, jo vetëm që nuk i doli në përballje, por i nxirrte për replikë, shefin e tij të kabinetit.
Realisht, çështja këtu, duke u nisur edhe nga sfida e Lulzim Bashës drejtuar Ramës, merr një peshë të rëndësishme, pasi në një ring politik, dueli mediatik, i jep fushatës “kripën” e sfidës.
Megjithatë, duhet thënë se kemi të bëjmë me një ekuacion jo shumë të thjeshtë në këtë rast. Si në vitin 2011, kur Basha e kërkoi për herë të parë përballjen mediatike me Edi Ramën, edhe sot, ka më shumë se dualitet politik brenda opozitës.
Përveç Lulzim Bashës, i cili e ka sfidë institucionale përballjen me Edi Ramën, pasi është shefi de jure jo vetëm i Partisë Demokratike, por i gjithë opozitës së bashkuar, tek opozitë, si sfidë ndaj Edi Ramës, madje nganjëherë më shumë se Lulzim Basha, e konsideron edhe lideri i vjetër dhe historik i PD-së, Sali Berisha, por edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Aktualisht, edhe pse kemi formalisht një formacion politik të dallueshëm kundër PS-së që është opozita e bashkuar nën lidershipin e Lulzim Bashës, realisht rezulton një “triumvirat” që e konsideron sfidë përballjen me Ramën.
Sali Berisha, i cili u ftua nga kolegu i tij i partisë, por edhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave në PD, Genc Ruli që të braktisë politikën, u përgjigj se betejën ndaj Edi Ramës e konsideronte si një “sfidë personale”.
Po ashtu, edhe Presidenti Ilir Meta, e ka konsideruar rrëzimin e Ramës si një sfidë, për të mos përmendur edhe kreun e LSI-së Monika Kryemadhin, e cila gjithsesi e ka pranuar më hapur lidershipin e Lulzim Bashës, për të cilin ka qenë e vetmja që ka thënë me emër dhe mbiemër se është kandidati i opozitës për kryeministër.
Kurse, Sali Berisha nuk e ka thënë, kur ju bë edhe pyetja për këtë qëllim, vetëm ka dhënë qëndrimin shtampë se kryeministër bëhet kreu i partisë së parë në vend.
Dueli, si instrument qartësues i një fushate ku njerëzit zgjedhin edhe nga “ringu politik” i liderëve është një instrument vital i një fushate zgjedhore. Tashmë ai është jo vetëm një instrument politik amerikan, por është i përdorur edhe në Europë ku sistemet politike-zgjedhore nuk janë kaq personal e mazhoritar si në SHBA.
Në fushatën e vitit 2013, sidomos në atë të vitit 2017 ne patëm një përplasje të fortë të 3 liderëve; Edi Rama, i cili ishte realisht zëri i parë dhe i vetëm i Partisë Socialiste në fushatë, Lulzim Bashën, i cili gjithashtu ishte zëri unik i Partisë Demokratike dhe Ilir Meta, i cili edhe pse de jure nuk ishte më kryetar i LSI-së pasi u zgjodh President, drejtoi fushatën e partisë së tij.
Sali Berisha nuk u angazhua fare në atë fushatë. Madje edhe në fushatën e vitit 2011 për bashkinë e Tiranës, i këshilluar nga Podesta Group që bëri fushatën e PD-së, kryeministri i kohës nuk doli fare në fushatën elektorale.
Por qartësisht dhe çuditërisht, në këto zgjedhje, Berisha ka dalë madje më shumë se i takon de jure, si një figurë primare politike. Referuar paneleve televizive të emisioneve në Prime Time të zhvilluara deri tani, Sali Berisha ka qenë shumë më i pranishëm se Lulzim Basha në ekran, i cili ka qenë vetëm një herë.
Veprim që ka ngjallur mjaft diskutime në lidhje me logjikën e lidershipit opozitar. Ja nëse Rama pranon të debatojë për herë të parë me Lulzim Bashën, pas një defaktorizimi disavjeçar, pasi nuk e konsideron liderin real të PD-së, po nëse edhe Sali Berisha do ta kërkojë një duel politik me kryeministrin, siç e ka cilësuar angazhimin e tij? Po nëse e bën edhe Meta.
Megjithatë, de jure lider i PD-së dhe i opozitës është Lulzim Basha, por a mjafton, apo a ngjit kjo aureolë për të bindur elektoratin se ai është lideri i padiskutueshëm. Pasi deri tani, të votosh opozitën po shikohet si ofertë voto 2 ke në ofertë edhe dy, pra voto Bashën e Kryemadhin, e merr edhe Berishën e Metën…
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.