Një ngjarje e rëndë ka ndodhur vetëm pak ditë më parë brenda kompanisë “Q.Sinaj SH.P.K” në Marinsë të Fierit, ku një punonjës i saj ka humbur jetën e familjarët hedhin akuza drejtëpërdrejtë për eprorët e viktimës.
Familjarët, më konkretisht e bija e 60-vjeçarit Arif Karemanit, tregon për Gazeta Shqip, se i ati i saj ishte nisur normalisht për në punë mëngjesin e 22 korrikut siç bënte prej 23 vitesh e nuk është kthyer më.
Ndër të tjera e bija shprehet se dy pronarët e kompanisë “Q.Sinaj SH.P.K”, përkatësisht Fatos dhe Baki Sinaj, i kanë dhënë versione të ndryshme për vdekjen e të atit dhe se si pasojë e neglizhencës së tyre, Arifi ka ndërruar jetë.
Momentet e fundit të filmuara brenda kompanisë “Q.Sinaj shpk” të 60-vjeçarit
“Punonjësit e tjerë i thanë drejtorit Genc Ymeraj se Arifi nuk është mirë, dhe hajde mere se nuk është në gjendje të punojë. E la një çerek ore, pastaj punëtorët e tjerë i thanë ‘ore hajde mere se Arifi vërtetë nuk është mirë’. E morën tek baza, ashtu e quajnë ata, drejtori Genc Ymeraj dhe përgjegjësi i dhanë një gotë raki duke i thënë ‘hajt se do bëhesh më mirë’. Babai ne na merrte gjithnjë në telefon, por atë ditë nuk na mori fare dhe na u duk e çuditshme. Po shkonte ora 5, 6 pasdite e asgjë. U detyruam morën drejtorin në telefon. Drejtori Ymeraj tha se në orën 15:00 e dërgova në bazë, dhe në 15:30 është larguar nga vendi i punës. Kërkuam gjithandej e prapë nuk e gjetëm, e mora drejtorin prapë në telefon dhe ai tha nuk di gjë, por kur shkuam brenda kompanisë në orën 00:30 të natës, aty e gjetëm brenda kompanisë të vdekur,” tha e bija.
Kjo e fundit bëri fajtore të drejtpërdrejtë mbi ngjarjen firmën Sinaj SH.P.K.
“Si drejtori Genc Ymeraj dhe pronarët Fatos dhe Baki Sinaj, e kanë lënë për një ndihmë të shpejtë të vdiste babain tim. Thjeshtë për një ndihmë, se po të kishte shkuar në spital, ai do ishte gjallë,” u shpreh ajo.
Po ashtu, e bija hedh akuza mbi dy pronarët se versionet që ata i kanë thënë bien ndesh me njëri-tjetrin.
“Fatosi më tha që ai ka fjetur dy orë në orën 13:00, e pastaj ka ikur nga puna. Nuk na pëlqeu as fakti se ata thanë që kontrolluam në bazë po nuk ishte, kur në fakt ne e gjetëm të vdekur aty, në një prej kamionëve. Fatosi na tha mos kërkoni kot, se pa Genci. Ata thanë se ka ikur nëpër lokale për të pirë,” u shpreh ajo.
Momenti kur familjarët shkojnë brenda firmës “Q.Sinaj SHPK” pasi kanë gjetur Arifin të vdekur