Është zbardhur ditën e sotme nga mediat shkresa e policisë drejtuar Partisë Demokratike për tubimin që planifikohet të mbahet më datë 6 dhjetor, ditë që përkonë me Samitin e BE në Tiranë.
Teksa kujtojmë se në këtë datë në Tiranë mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku marrin pjesë liderë europianë, në shkresën zyrtare që mban datën 24 nëntor, të firmosur nga drejtori i Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika, drejtuar përfaqësuesit të PD-së, Ervin Minarollit, argumentohen arsyet e mospranimit të kërkesës së kësaj partie për të mbajtur tubimin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, në orën 12:00 deri në 16:00.
Sipas policisë, tubimi në fjalë në perimetrin e sigurisë të vendosur në kuadër të masave për mbarëvajtjen e rendit për shkak të samitit, do të cënonte sigurinë kombëtare.
Mes të tjerash policia i sugjeron PD-së që të mbajë tubimin në një vend tjetër alternativ, jashtë këtij perimetri të sigurisë të caktuar. Kujtojmë se shkresa e PD-së për të marrë leje pranë policisë për të vijuar me protestën, ishte bërë më 22 nëntor.
Tashmë ngelet për t’u parë se cili do të jetë fati i protestës së opozitës.