Edi Rama në daljen e tij publike pas takimit Meta-Basha, përveç se ka ripërsëritur qëndrimin se mazhoranca nuk tërhiqet nga listat e hapura dhe eliminimi i koalicionit tren, ai ka bërë edhe një manovër të radhës.
Kryeministri, i ka bërë thirrje Lulzim Bashës, disa herë indirekt se ai është gati për të negociuar me të dhe është në pritje të një kërkese nga kreu i Partisë Demokratike.
“Po të isha unë si Lulzim Basha, edhe pse nuk jam do të kërkoja të negocioja. Kur isha unë në opozitë i kam kërkuar disa herë kryeministrit që të takohet me mua. Se përgjithësisht kryeministrat nuk duan të takojnë liderin e opozitës, pasi teorikisht humbin pikë, por kjo nuk është problem për mua”, tha Rama.
Madje, kryeministri vijoi duke shpjeguar se është i gatshëm që të bisedohet edhe për formulën e listave të hapura, duke e detajuar si proces.
Manovra e Ramës, duket se më shumë sesa qëllimin për ta tërhequr Bashën në dialog personal me të, është për të futur xixat brenda opozitës, që duket që prej 4 vitesh e kanë kthyer në obsesion takimet Rama-Basha.
Deri në fund të muajit, sipas të gjitha gjasave edhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve do të ketë një takim o mes Bashës e Ramës o ndërmjet përfaqësuesve të lartë politikë.
Kohë për këtë proces, madje ka edhe pas korrikut, si një proces që sipas gjasave do të shkojë deri te mos dekretimi i Presidentit të Republikës, së amendamenteve Kushtetuese, që e çojnë çështjen në një sherr të gjatë, deri në vjeshtën e vonë, kur Shqipëria do të duhet të ulet në tryezën e Çeljes së Negociatave me Bashkimin Europian.
Kështu që ky sherr do të mbajë gjithë vapën, duke mbajtur të karikuar edhe mazhorancën, ndoshta në fazën e dytë për t’u kthyer mbrapsht me çështjen e heqjes së koalicioneve.