Vendimi për hapjen e shkollave është tashmë zyrtarisht i miratuar nga qeveria dhe në shtator nis viti i ri shkollor.


Megjithë rekomandimet e ekspertëve të shëndetit publik për të mos lejuar hapjen e tyre për shkak se janë vatra të nxitjes së grumbullimit e për pasojë dhe të transmetimit të virusit Covid 19, prindër e nxënës do të duhet t’i drejtohen shkollave këtë shtator.


Por cilat janë masat e rekomanduara dhe nga OBSH për autoritetet zyrtare përgjegjëse, ministria e Arsimit dhe organet vendore?


Asgjë më shumë se çfarë rekomandohet për popullatën; distancim fizik dhe mbajtje e maskës tek fëmijët mbi 11 vjec gjatë udhëtimit me transport urban si dhe kujdesi për një higjienë të lartë personale.


Ekspertët e shëndetit publik thonë se në shkollat tona ku mungon uji gjatë ditës apo kur klasat janë të mbipopulluara, është vështirë të mbash një higjienë të pastër apo të ruash distancën.


Por sot ministrja e Arsimit Besa Shahini paralajmëroi organet përgjegjjëse që të merren menjëherë me këtë problem, të dezinfektojnë ambientet e shkollave e të garantojnë higjienizimin e ambienteve.


Një problem që duhet parë me prioritet është transporti publik kur dihet se një pjesë e madhe e nxënësve frekuentojnë shkollat shumë larg qendrës së tyre të banimit.


Fëmijë apo gjimnazistë, rreziku i grumbullimeve, mosrespektimi i masave mbrojtëse si mbajtja e maskës dhe distancimi mund të krijojnë probleme me qarkullimin e virusit në komunitetin e nxënësve.


Monitorimi i rreptë i kushteve të transportit publik dhe zbatimi i masave anticovid do të kërkonte një partneritet të ngushtë mes operatorëve të transportit urban dhe organeve vendore, me qëllim frenimin e përhapjes së covid.


Po shkollat? A janë gati ato të zbatojnë protokollet e shëndetësisë për masat anticovid?


Sikurse Shqipëria, edhe vendet e rajonit apo më gjerë si Italia dhe Britania e Madhe të cilat kanë lajmëruar hapjen e shkollave në Shtator, kanë marrë masat për zbatimin e masave kundër përhapjes së virusit.


Sic raporton BBC, shkollat në Skoci janë rihapur sot, 18 gusht dhe muajin e ardhshëm do të hapen të tjerat në pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Autoritetet shëndetësore britanike kanë publikuar udhëzime që nuk i mëshojnë shumë distancës fizike sesa ndryshimeve të rregullores së dikurshme mbi mbajtjen e asambleve, adhurimeve fetare, që nxitin grumbullime.


Në shkollat britanike, udhëzohen mësuesit që të mbajnë lidhje të ngushta me ekspertët e shëndetit publik për raportime të rasteve me simptoma të dyshuara me virusin Covid.


Po ashtu rekomandohet që rastet e dyshuara të ndiqen përmes gjurmimit online, për të lokalizuar kontaktet e tij në klasë e më gjerë me qëllim izolimin sa më shpejt të rasteve të prekura nga virusi.


Një problem paraqet dhe transporti shkollor për fëmijët që frekuentojnë shkollat private ku udhëzimi për masat anticovid kërkon nga subjektet të aplikojnë distancimin fizik kur është e mundur, tu kërkohet fëmijëve të mbajnë maska dhe tu ofrohen larës higjienizues për duart.


Udhëzimet për shkollat në Britani rekomandojnë kryerjen e edukimit fizik pa krijuar kontakte mes nxënësve.


Ndërsa në Itali, duke qenë se distancimi social është kryesor për të parandaluar përhapjen e virusit, qeveria italiane po merr masa për ndryshimin e modelit të bamgave në shkolla, duke siguruar që ato të jenë të distancuara mes nxënësve dhe jo modeli i së shkuarës ku bangat janë shumë të gjera dhe ulëse po ashtu.


©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.