Mbas vitit 2011 vihet re një sofistikim i vrasësve me pagesë. Kategoria më problematike janë “vrasësit profesionistë”. Vihet re se kjo kategori vrasësish po merr dora-dorës trajta organizative në formën e një rrjeti kriminal, ku struktura e “ndërmjetësve” duket se është struktura më e organizuar.


Ka një rritje apo bashkëpunim midis bizneseve dhe vrasësve me pagesë, të cilët përdoren për çështje sigurie nga bizneset apo për të eliminuar konkurrentët e tyre. Në kategorinë e “vrasësve profesionistë” përfshihen dy grupe: vrasës profesionistë “lëvizës”, ata që janë rezidentë në një nga shtetet e BE-së dhe “rezidentë”, ata që janë kthyer në Shqipëri.


Vihet re që strukturat kriminale po rekrutojnë adoleshentë, të cilët po i përgatisin për të kryer vrasje dhe kjo duket të jetë një qasje e re. Të rinjtë e rekrutuar vijnë nga familje me një histori kriminale ose nga të rinj që vuajnë dënime për vepra si vjedhje apo grabitje. Këta të fundit krijojnë lidhje me eksponentë të njohur të krimit në burgje, duke i përdorur më pas për kërcënime.


Si është profili i një vrasësi të tillë


Ata nuk i njeh askush. Janë njerëz të zakonshëm, por me cilësi psiko-motore shumë më ndryshe nga të zakonshmit. Janë ata, që shqetësojnë gjumin e policisë shqiptare. Është shumë e vështirë që të kuptosh se nga dhe si është bërë krimi. Njerëz me konflikte të hershme dhe pjesë të hakmarrjeve janë gjetur të vrarë. Dosjet kanë mbetur pa autorë, por me regjistrimin perfekt të vrasjeve të kujdesshme nga duar profesionistësh.


Rastet janë shumë. P.sh, ende nuk dihet sesi është vrarë një nga krerët e Komunitetit mysliman, Salih Tivari. Kaq i kopsitur ka qenë realizimi i vrasjes, saqë edhe sot e kësaj dite, kanë mbetur pas vetëm hamendësime për vrasësit.


I ndjeri Florian Vila u ekzekutua po kaq mjeshtërisht, në derën e shtëpisë së tij. Më 29 mars vrasja e Fatmir Ramës, ose Mirit të Xhikes, ishte po kaq perfekt te Kartodromi.


Pak vite më parë, ngjarjet e Tropojës konverguan me një sërë ekzekutimesh po kaq mjeshtërore, të bëra me një infrastrukturë moderne. Të gjitha ishin vrasje profesionistësh. Këto janë vetëm pak raste, ndër të parat në Shqipëri të cilësuara vrasje me pagesë. Shumë të tjerë janë regjistruar nga viti 2005 e deri më tani.


Por, tashmë gjasat për t’u zbuluar janë shtuar. Sepse në shumë ambiente është vendosur elementi i kamerave të sigurisë, çka i bën vrasësit me pagesë të mendohen dy herë. Por ekspertët thonë se edhe në të tilla raste, ata studiojnë të gjitha detajet, ndikojnë në fikjen e kamerave dhe plot veprime të tjera, me qëllimin e vetëm për ta çuar deri në fund misionin.


Në fakt, shqiptarët ka kohë që përfliten për këtë fenomen. Kohë më parë, Prokuroria e Antimafies Italiane në momentin që kanë folur dhe me zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Krimeve të Rënda kanë referuar se shqiptarë në Itali janë pjesë e bandave famëkeqe dhe të rekrutuar si vrasës me pagesë.



©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.