Fier- Në qytetin e Fierit për vitin 2021 u shënua, një nga ngjarjet më të rënda. 8 -vjeçari Mateo Vasiu që u vra barbarisht nga fqinji 38- vjeçar Klodian Çalamani, tashmë i arrestuar.
Ai ishte duke luajtur me biçikletë në momentin që është marrë nga Çalamani, i cili e ka futur në shtëpinë e tij. Fillimisht ai e ka goditur të voglin me një lopatë pas koke e më pas trupin ia ka mbulur me baltë në oborrin e banesës së tij.
Në bankën ku ulej Mateo Vasiu, në shkollën e Greçallisë në Fier, tashmë qëndron një buqetë me lule, si nderim për jetën e 8-vjeçarit që u rrëmbye, vra dhe gropos nga fqinji Klodian Çalamani.
Nga dëshmitë thuhet se ai e kishte joshur 8-vjeçarin duke i dhënë biçikletën për të luajtur, siç zbuluan pamjet e kamerave të sigurisë. Më vonë, e tërhoqi pas rrethimit me kallama dhe në oborr e lidhi dhe goditi për vdekje me lopatë.
Për të humbur gjurmët, trupin e fshehu në një gropë deri në mbrëmje kur krimi u zbulua dhe Klodian Çalamani u arrestua.
8-vjeçari i vrarë barbarisht u përcoll për në banesën e fundit duke lënë pas shumë dhimbje, dhe një njollë tjetër të zëzë për shoqërinë që heshti dhe institucionet dhe drejtësinë që nuk funksionoi kur duhej.
Në vitin 2012 Klodian Çalamani ishte dënuar me vetëm 4 vite burg për pengmarrjen dhe torturimin e një vajze të mitur në fshat, bashkë me xhaxhain e 8- vjeçarit që vrau.
Klodian Çalamanit në kushte të rrepta sigurie iu dha masa arrest me burg në polici, nga ku nuk shfaqi pendesë për vrasjen e fqinjit 8-vjeçar, por motivin pse e çoi drejt aktit krimit horror nuk e ka treguar.
Kjo ishte një nga ngjarjet më tronditëse që kaploi Shqipërinë për vitin 2021, një vogëlushi iu pre jeta në mes. Familjes së tij i janë tharë lotët dhe tashmë ëngjëlli i tyre, është kthyer në një pikturë dhe prindërit e kujtojnë çdo ditë.
Ajo që u pa nga ky rast ishte problemi i madh i institucioneve të vendit tonë ku një ish- i burgosur për rrëmbim dhe përdhunim lëviste i lirë.
Kjo ngjarje do mbetet në mendjen e çdo familjeje, dhe ky të jetë një alarm për ngjarje që të mos përsëriten më.
Mateon e vranë të gjithë….