Ende shumë qytetarë nuk janë më aq efektivë në punë siç ishin para se të prekeshin nga ky virus. Pothuajse gjysma e atyre pacientëve që e kaluan në formë të rëndë sëmundjen, apo dhe të moderuar vuajnë pasoja të Covidit të zgjatur.
Mjekët shpjegojnë se virusi i Covdi-19 ka prekur sisteme të rëndësishme në organizëm, siç janë artikulacionet e të tjera, të cilat kërkojnë kohë të gjatë rikuperimi.
“Përkufizimi thotë 3 muaj pas kalimit të Covidit, por në praktikën e përditshme po e shohim edhe muaj pas kalimit të Covidit, prekje të sistemit nervor, të dëgjimit, të nuhatjes. Ka plot që ende nuk i është rikthyer shija dhe nuhatja. Ka ndryshime në zë, çrregullime në metabolizëm, aparatit urinar, tregojnë për pasojat e virusit“, tha Esmeralda Meta, mjeke infeksioniste.
Ka shumë njerëz të cilët patën prekje të mushkërive nga virusi i Covid-19, pasojat e të cilit po u reflektohen edhe sot me frymëmarrje të vështirësuar gjatë aktivitetit në punë.
Ndërkohë që virusi i Covid-19 ka përshpejtuar në kohë shumë sëmundje të cilat do t’i preknin njerëzit por në një moshë më të madhe.
Sot e gjithë bota po përballet me më pak njerëz efektiv në punë për shkak të pasojave të Covid. Në Shqipëri nuk ka matje të fenomenit por një tregues janë raportet e shpeshta mjekësore të punonjësve.