Një studim i ri i publikuar në revistën prestigjioze Nature hedh dritë mbi origjinën e dhëmbëve të njeriut, duke zbuluar se këto struktura të ndjeshme kanë evoluar nga koracat e jashtme ndijore të peshqve të lashtë, që kanë jetuar rreth 460 milionë vjet më parë.
Sipas shkencëtarëve, indi ndijor i zbuluar në ekzoskeletin e këtyre krijesave të zhdukura aktivizohet nga i njëjti “mjet gjenetik” që formon dhëmbët tek njerëzit sot. Ky zbulim jo vetëm që lidh të kaluarën e largët me organizmin e njeriut modern, por edhe ofron një shpjegim të ri për ndjeshmërinë e dhëmbëve tanë.
Në fillim, studiuesit kishin për qëllim të identifikonin vertebrorin më të hershëm në të dhënat fosile, duke analizuar mostra nga periudhat Kambrike dhe Ordovike (541–443 milionë vjet më parë). Ata përdorën skanime CT me rezolucion të lartë për të studiuar fosilin e Anatolepis heintzi, një krijesë pa nofulla që dikur mendohej të ishte ndër peshqit e parë.
Fillimisht u mendua se A. heintzi kishte pore të mbështjella me dentinë – një ind i kalçifikuar që gjendet nën smaltin e dhëmbëve tek njerëzit. Por analiza të mëtejshme zbuluan se këto struktura ishin më të ngjashme me organet ndijore të guacave të gaforreve. Si rezultat, kjo krijesë u rikategorizua si një artropod i lashtë, dhe jo si një vertebror.
Ky rishikim i rëndësishëm çoi në një të vërtetë të re: megjithëse kishin prejardhje të ndryshme, si artropodët ashtu edhe vertebrorët e hershëm zhvilluan një ind mineralizuar të ngjashëm për të ndjerë mjedisin përreth. Me kalimin e kohës, ky ind ndijor evoluoi në dentinë – bazën strukturore të dhëmbëve tanë.
Ky zbulim mbështet teorinë se strukturat ndijore kanë ekzistuar në ekzoskeletin e kafshëve të hershme që në fillimet e jetës komplekse, dhe më vonë, të njëjtat mekanizma gjenetikë u riadaptuan për të ndërtuar dhëmbë.
“Kur e shohim përmes këtij këndvështrimi evolucionar,” shkruajnë autorët e studimit, “ndjeshmëria e lartë e dhëmbëve të njeriut nuk është më një mister, por një trashëgimi e drejtpërdrejtë nga ‘koracat ndijore’ të vertebrorëve të hershëm.”