Një projekt i diskutuar dhe i kritikuar brenda futbollit botëror do t’i kishte sjellë përfitime të mëdha financiare presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, sipas një hetimi të publikuar nga “The Times”. Plani për shitjen e rreth 20% të të drejtave të Kupës së Botës përmes degës së FIFA-s, Forward Enterprise, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 3.65 miliardë eurosh, është anuluar pas kundërshtimeve të forta nga UEFA, CONCACAF dhe sponsorët e organizatës.

Por ajo që ka shkaktuar më shumë debat lidhet me përfitimet e mundshme të Infantinos. Edhe pse presidenti i FIFA-s ka deklaruar se nuk kishte synim të nxirrte fitim personal nga kjo iniciativë, hetimi i “The Times” pretendon se ai mund të kishte përfituar një pagë prej rreth 30 milionë eurosh, përfshirë edhe bonuse. Kjo shifër do të ishte shumë më e lartë se paga aktuale e Infantinos, e cila raportohet të jetë rreth 3 milionë euro.

Projekti ishte planifikuar të kalonte përmes një votimi nga 211 federatat anëtare të FIFA-s, ndërsa federatave u ishin premtuar shpërblime të konsiderueshme financiare. Megjithatë, kundërshtimet e forta nga brenda futbollit ndërkombëtar bënë që iniciativa të mos vazhdonte përpara. Pavarësisht kritikave dhe debatit të krijuar rreth menaxhimit të projektit, Gianni Infantino vijon të mbajë postin e presidentit të FIFA-s.