Ish-mbrojtësi brazilian Lucio, pak muaj më parë përjetoi një moment të frikshëm ku rrezikoi jetën.
Shpërthimi i një oxhaku ekologjik, i shkaktoi djegie në 18% të trupit, shtrimin në spital dhe disa muaj me ndërhyrje kirurgjikale radhazi. Ish-futbollisti 47-vjeçar, fitues i “triplete” me Interin, ka kujtuar në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport” se çfarë ndodhi pas festës së ditëlindjes së tij.
“Do të duhen ende disa muaj për t’u kthyer në 100%, mund të them se kam lënë më të keqen pas krahëve. Shtrimi në spital ishte gjëja më e vështirë, një traumë e vërtetë. Djegiet janë një lloj lëndimi shumë i vështirë për t’u përballuar, fizikisht dhe psikologjikisht. Vazhdoj ende trajtimin në lëkurë, që është i gjatë, por po përmirësohem.
Incidenti? Ndodhi gjithçka në mënyrë të papritur, ndërsa isha për darkë në shtëpinë e disa miqve, pak pasi kisha festuar 47-vjetorin më 8 maj. Në një moment oxhaku u fik dhe për fat të keq, një mik, në tentativën për të ndezur përsëri zjarrin, i hodhi sipër një bidon të vogël me alkool dhe aty ndodhi shpërthimi.
Mua më kujtohen vetëm flakët në fytyrë, në krahë dhe këmbë. Gruaja ime nuk kishte mbetur e lënduar dhe në atë moment u hodha në pishinë. Më transferuan nga Brazilia në Rio Grande do Sul më 21 maj dhe më kujtohet mirë vështirësia që kisha për të fjetur për shkak të dhimbjeve. Nuk kisha kaluar kurrë kaq shumë kohë në spital, u deshën ndërhyrje kirurgjikale për të hequr shtresa lëkurë dhe për të bërë mjekime të veçanta”, tregoi Lucio detajet nga ngjarja tronditëse e jetës së tij.