3 ndeshje, 3 fitore për kombëtaren shqiptare të 19-vjeçarëve. Kuqezinjtë e vegjël pas Maltës dhe Anglisë mposhtën edhe Italinë duke u kualifikuar në finalen e madhe të turneut “Roma Caput Mundi”, që po zhvillohet aktualisht në kryeqytetin italian.


Në Ferentino në një komunë, 65 km në juglindje të Romës, skuadra e drejtuar nga Erjon Bogdani triumfoi me shifrat 4-2 pas goditjes së penalltive, ndaj 18 përfaqësues së 18-vjeçarëve të Italisë, që përbëhej nga futbollistë të talentuar që janë pjesë e Serisë D.


Koha e rregullt përfundoi në barazim pa gola, ndërkohë që nga pika e bardhë e 11-metërshit, 19-vjeçarët e Shqipërisë u treguan më saktë. Trajneri Bogdani e nisi sfidën me këtë formacion, Alia, Arapi, Cela, Abara, Rama që mbante në krah edhe shiritin e kapitenit, Rada ,Gashi, Myrteza, Sinani, Bushaj dhe Pjetri. Pas fitoreve me shifrat 2-1 ndaj Maltës dhe 2-0 ndaj Anglisë, kuqezinjtë e vegjël mposhtën me penallti edhe Italinë në sfidën direkte për vendin e parë, duke e mbyllur grupin B në krye.


Në finalen e madhe të turneut “Roma Caput Mundi”, kombëtarja shqiptare e 19-vjeçarëve do të ketë përballë Rumaninë, në një derbi ballkanas. Finalja do të luhet këtë të Premte në orën 15 në stadiumin “Anco Marzio”, të Ostias.


2 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)