PSG është skuadra e parë që ka siguruar gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve për këtë sezon, falë një fitore të “çmendur” ndaj Atalantës në Lisbonë, duke e përmbysur rezultatin nga 0-1 në 2:1 në minutat e fundit të ndeshjes.


Ekipi i Gjimshitit po kryesonte deri në fund të ndeshjes,  por francezët kanë përmbysur rezultatin në minutat në kohën shtesë, duke shënuar 2 gola në 3 minuta.


Përmbysja e rezultatit


Në “Da Luz” Atalanta dominoi në fraksionin e parë, teksa do të gjente një gol fantastik në minutën e 27-të me Pasalic.  Në pjesën e dytë, skuadra franceze aktivizoi edhe Mbappe, por as sulmuesi francez nuk mundi që të evitonte humbjen. Ai humbi dy mundësi të mira shënimi, ashtu si Neymar, i cili nuk ishte në mbrëmjen e tij më të mirë.


Kur dukej se gjithçka ishte e mbyllur, do të vinte përmbysja e çmendur. Pas një aksioni të gjatë, Marquinhos është në vendin dhe në kohën e duhur për ta dërguar topin në rrjetë, i ndihmuar edhe nga Caldara. 3 minuta më pas Eric Choupo-Moting merr një pasim të artë me portën e boshatisur, vetëm për ta shtyrë topin në fundin e rrjetës.