Armando Cungu nuk është më trajner i Vllaznisë nga dita e sotme. Si pasojë e rezultateve jo të mira të kuqebluve, bashkia dhe tekniku shkodran kanë rënë dakord për ta ndërprerë kontratën me mirëkuptim.


Sidoqoftë, konfirmim zyrtar për “divorcin” e tij me Vllazninë nuk pati as nga klubi, as nga vetë trajneri. Si duket ishin bisedimet e fundit për mënyrën se si do të ndërpritej kontrata me mirëkuptim dhe kush do ta pasonte Cungun. Vizita e djeshme në Shkodër e Ernest Gjokës, trajnerit kampion me Kukësin, e përvijoi atë si trajnerin e ri të Vllaznisë.


Nga ana e tij, Cungu ka thënë fjalët e e para pas largimit, përmes një mesazhi të shpërndarë nga celulari i tij te gazetarët: Përshendetje miq! Ju bëj me dije se nga sot tërheq angazhimin tim te skuadra e Vllaznisë (do të thosha e zemrës). Vendimin që të largohem nga Vllaznia e poqa nga disa rrethana, që në gjykimin tim janë përcaktuese.


Në fakt, pranova Vllazninë me dëshirën që të realizosha një ëndërr (vjet u afruam shumë), por fatkeqësisht, vazhdimisht konstatova se ekzistojnë njerëz dhe struktura, të cilat futbollin në Shkodër e përdorin pa përgjegjësinë e fisnikërisë së sportdashësit. Personalisht punova me të gjitha aftësitë e mia, me korrektësi dhe sakrificë. S’isha i vetëm: janë edhe një pjesë e sportistëve. Uroj me zemër që ekipi i Vllaznisë të ketë një ecuri pozitive në vazhdim. Shkodra dhe tifozët e mrekullueshëm e meritojnë një Vllazni të suksesshme“.


19 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)