Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, është prezantuar zyrtarisht si lojtari më i ri i Juventusit, duke u bërë shqiptari i dytë në histori që vesh fanellën bardhezi, pas legjendës Riza Lushta (1940-1945).
Në konferencën për mediat, 25-vjeçari u shpreh se është krenar për këtë hap të madh në karrierën e tij, edhe pse nuk është ende gati në aspektin fizik për të qenë në fushë kundër Interit të shtunën.
“Jam shumë krenar që jam pjesë e Juventusit. Pasaporta shqiptare më ndihmoi shumë dhe për këtë jam mirënjohës. Dua të falenderoj kryeministrin Edi Rama, i cili është një tifoz i madh i Juves dhe u gëzua shumë që më ndihmoi. Do t’i dhuroj fanellën time të parë, sepse kjo nuk është vetëm arritja ime, por e gjithë komunitetit shqiptar”, tha Zhegrova.
Pasaporta shqiptare, çelësi i transferimit
Marrja e shtetësisë shqiptare nuk ishte thjesht një gjest simbolik, por faktori vendimtar i këtij transferimi. Pas marrëveshjes së shkurtit 2024 mes FSHF dhe Federatës Italiane të Futbollit, futbollistët shqiptarë nuk konsiderohen më ekstrakomunitarë në Serie A.
Kjo i dha mundësinë Juventusit ta regjistronte Zhegrovën pa shpenzuar një nga vetëm tre vendet e vlefshme për lojtarë jashtë BE-së, që zakonisht rezervohen për futbollistë nga Amerika Latine. Një pengesë burokratike më pak, që hapi rrugën drejt këtij transferimi historik.
Në gjurmët e një legjende
Me këtë lëvizje, Zhegrova bëhet shqiptari i dytë në historinë e Juventusit, 85 vite pas debutimit të Riza Lushtës, i cili la gjurmë me 85 ndeshje dhe 46 gola në fanellën bardhezi mes viteve 1940–1945.