Sfida e shumëpritur mes Meksikës dhe Anglisë në fazën e 16-tave të Botërorit mund të shoqërohet me probleme serioze për shkak të kushteve atmosferike në Meksiko Siti.

Takimi, që do të zhvillohet në stadiumin legjendar Estadio Azteca, është vënë në qendër të vëmendjes jo vetëm për rëndësinë sportive, por edhe për paralajmërimet e forta të motit. Meteorologët lokalë, së bashku me ekspertët e Met Office, kanë raportuar një mundësi shumë të lartë për stuhi të fuqishme dhe reshje intensive shiu në orët kur pritet të luhet ndeshja.

Sipas parashikimeve, ekziston rrezik për përmbytje të pjesshme në zonat pranë stadiumit, ndërsa shqetësimi më i madh lidhet me mundësinë e rrufeve gjatë zhvillimit të sfidës.

Rregullorja e FIFA është e qartë në raste të tilla: nëse evidentohen rrufe brenda një distance prej rreth 13 kilometrash nga stadiumi, arbitri detyrohet të ndërpresë menjëherë takimin për arsye sigurie.

Për shkak të situatës atmosferike, FIFA kishte diskutuar mundësinë e ndryshimit të orarit të ndeshjes dhe zhvendosjen e saj disa orë më herët. Megjithatë, pas konsultimeve të zhvilluara të premten në mbrëmje, organizatorët vendosën që sfida të luhet sipas kalendarit të parashikuar, në orën 18:00 lokale, ose 02:00 me orën shqiptare.

Eksperti i motit Simon King nga BBC Weather deklaroi se temperaturat pritet të jenë të favorshme për futboll, mes 17 dhe 20 gradë Celsius, por theksoi se orët e para të ndeshjes mbeten më problematiket për shkak të aktivitetit të stuhive.

Kombëtarja angleze ka përjetuar një situatë të ngjashme edhe muajin e kaluar, kur një ndeshje miqësore ndaj Kosta Rikës në Orlando u vonua për shkak të motit ekstrem. Tashmë mbetet për t’u parë nëse përballja në Meksikë do të zhvillohet normalisht apo do të ndikohet nga kushtet atmosferike.