Një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e sportit, Lionel Messi, feston sot 39 vjetorin e lindjes.
I lindur në Rosario të Argjentinës, ai ka ndërtuar një karrierë që prej gati dy dekadash, ku ka dominuar futbollin botëror.
Gjatë karrierës së tij, Messi ka arritur shifra të jashtëzakonshme: 916 gola dhe 416 asiste, duke kontribuar në total me 1,332 përfshirje direkte në gola në 1,158 ndeshje. Këto statistika e vendosin atë mes lojtarëve më produktivë dhe më të qëndrueshëm të të gjitha kohërave.
Argjentinasi ka fituar trofe në çdo nivel të mundshëm, përfshirë Kupën e Botës, Champions League dhe 8 Topa të Artë, duke kompletuar një koleksion që pak futbollistë në histori mund ta afrojnë.
Edhe në moshën 39-vjeçare, Messi vazhdon të jetë vendimtar në fushë, duke shënuar dhe krijuar raste me të njëjtën lehtësi që e ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës së tij, teksa tani, synimi i tij i radhës është Kupa e dytë e Botës me Argjentinën.
Në këtë ditë të veçantë, bota e futbollit i uron një tjetër vit suksesi dhe vazhdimësie në një karrierë që tashmë është pjesë e historisë së sportit.



