Sa vendimtar është triumfi në Kupën e Botës për të fituar Topin e Artë? Kjo është pyetja që ngre sërish France Football, organizatori i çmimit më prestigjioz individual në futboll, teksa Botërori 2026 po hyn në fazën vendimtare.

Historikisht, ekziston bindja se fituesi i Kupës së Botës është automatikisht favoriti kryesor për Topin e Artë. Megjithatë, statistikat tregojnë një realitet ndryshe.

Në vitet kur çmimi u jepet futbollistëve nga e gjithë bota (që nga viti 1995), vetëm 4 nga 7 fituesit e Topit të Artë, ose 57%, kanë arritur ta fitojnë edhe Kupën e Botës në të njëjtin cikël.

Shembulli i parë ishte Zinedine Zidane, i cili në vitin 1998 udhëhoqi Francën drejt titullit botëror dhe më pas fitoi edhe Topin e Artë. Të njëjtën gjë bënë Ronaldo me Brazilin në vitin 2002 dhe Fabio Cannavaro me Italinë në vitin 2006.

Megjithatë, seria u ndërpre në vitin 2010. Edhe pse Spanja fitoi Botërorin, Lionel Messi u shpall fitues i Topit të Artë falë sezonit të jashtëzakonshëm me Barcelonën, duke lënë pas Andrés Iniestën dhe Xavin.

E njëjta situatë u përsërit në vitin 2014, kur Cristiano Ronaldo fitoi çmimin pavarësisht se Gjermania u shpall kampione e botës. Në vitin 2018, Luka Modrić, edhe pse humbi finalen me Kroacinë, fitoi Topin e Artë përpara kampionit të botës Antoine Griezmann.

Vetëm pas Botërorit të Katarit në vitin 2022 u rikthye përputhja mes dy trofeve, kur Lionel Messi udhëhoqi Argjentinën drejt titullit botëror dhe më pas fitoi edhe Topin e Artë për vitin 2023.

Përfundimi i analizës së France Football është i qartë: fitimi i Kupës së Botës rrit ndjeshëm shanset për të fituar Topin e Artë, por nuk është garanci. Në fund, vendimtare mbetet paraqitja gjatë gjithë sezonit dhe jo vetëm performanca në turneun më të madh të futbollit.