Amir Abrashi ka vendosur të zgjasë bashkëpunimin me Grasshoperin. Palët kanë zyrtarizuar kontratën e re deri në vitin 2027 për kapitenin e skuadrës. Dhe pse Abrashi duhet të përballonte një dëmtim të rëndë për këtë sezon, klubi vazhdon ta preferojë në skuadër.

36-vjeçari duket se do e mbyllë karrierën në Zvicër, aty ku edhe nisi çdo gjë për të. Abrashi më parë ishte përfolur edhe për një kalim në kampionatin shqiptar, por asgjë nuk u konkretizua.

“Grasshoper është shtëpia ime, e ndërtova karrierën time këtu dhe i detyrohem shumë këtij klubi. Do të thotë edhe më shumë për mua të vazhdoj të jem pjesë e tij. Besimi dhe vlerësimi nuk janë diçka që e marr si të mirëqenë dhe jam shumë mirënjohës për to. Të gjithë e dinë sa shumë rreh zemra ime për Grasshoperin. Do të vazhdoj të jap gjithçka për klubin”, u shpreh Abrashi për rinovimin e tij.

Drejtori sportiv, Alain Suter, tha fjalën e tij pas vendimit për të zgjatur bashkëpunimin. “Amiri mishëron në mënyrë të përsosur vlerat që përfaqëson Grasshoper. Mentaliteti i tij, përvoja dhe prania e tij kanë një vlerë të jashtëzakonshme për ekipin tonë. Ai ka përjetuar të gjitha ulje-ngritjet me klubin dhe gjithmonë ka treguar përkushtimin e tij të plotë”, u shpreh drejtori sportiv i Grasshoper për Abrashin.