Kuqezinjtë e Milanit, edhe pse kanë bërë shumë hapa fals në kampionat, vazhdojnë ta kenë mendjen te goli fantazmë i Muntarit ndaj Juventusit, që sipas tyre ka ndikuar në këtë kampionat. Madje, administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, e mban këtë gol në telefonin e tij dhe e sheh ngado që shkon, për të mos e harruar. “Po, e mbaj me vete në mënyrë që mos ta harroj. Eci me telefonin tim në dorë dhe shoh golin e Muntarit”, ka thënë Galiani, që ashtu si Alegri, duket se janë bërë të fiksuar pas atij goli, edhe pse në fakt Milani arriti të shkëputej deri në shtatë pikë nga Juventusi, pas golit fantazmë.