Një ngjarje tronditëse ka dalë në dritë nga rezidenca e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher. Sipas mediave zvicerane, prokuroria ka ngritur akuza ndaj pilotit australian Joey Mawson, 29 vjeç, i cili dyshohet se ka përdhunuar dy herë një infermiere që shërbente si kujdestare me banim në shtëpinë e Schumacher-it.
Ngjarja e dyshuar ka ndodhur më 23 nëntor 2019, pas një mbrëmjeje me kokteje. Sipas aktakuzës, infermierja – e lodhur nga puna dhe e dehur – është shoqëruar në dhomë nga kolegët e saj, të cilët e kanë lënë të shtrirë në shtrat, e veshur dhe me dritat ndezur. Pasi ata janë larguar, Mawson dyshohet se është kthyer në dhomë dhe ka kryer aktin seksual ndërsa viktima ishte në gjendje të pandërgjegjshme.
Vetë Mawson ka mohuar akuzat, duke deklaruar se marrëdhënia ishte konsensuale dhe se mes tyre kishte pasur më parë kontakt romantik, përfshirë një puthje në një klub nate në Gjenevë.
Procesi gjyqësor pritej të niste këtë javë, por është shtyrë pasi i pandehuri nuk u paraqit në gjykatë. Ndërkohë, Mawson është tashmë i pezulluar nga aktivitetet sportive për një çështje të veçantë që lidhet me doping në Australi.
Joey Mawson është një pilot i njohur në serinë australiane S5000, ku ka fituar dy tituj kampion, dhe dikur konsiderohej si talent premtues, duke garuar përkrah emrave si Mick Schumacher, Lando Norris dhe George Russell. Megjithatë, mediat raportojnë se familja Schumacher nuk ka asnjë lidhje me rastin dhe ka refuzuar të komentojë, ndërsa thuhet se Mick Schumacher dhe Mawson nuk kanë patur kontakte prej vitesh.
Ankesa penale u paraqit në vitin 2022, tre vite pas ngjarjes së pretenduar, pasi infermierja u largua nga ekipi mjekësor që kujdesej për ish-kampionin e Formula 1. Hetimet vijojnë.