Ish-mbrojtësi i Interit, Fabio Macellari, është dënuar me tetë muaj burg dhe një gjobë prej 1,800 eurosh për akuzën e trafikimit të drogës.

Dënimi u dha nga gjykata e Piacenzës pas një hetimi për trafik droge që ka nisur në vitin 2019 nga Karabinierët e Bobbio.

Macellari, i cili ka luajtur në Serie A për Lecce, Cagliari, Inter Milan dhe Bologna gjatë fundviteve të 1990-ës dhe fillimit të viteve 2000, është dënuar për trafik droge, ndërsa është liruar nga dy akuza të tjera.

Ish-lojtari 50-vjeçar pranoi se ka përdorur kokainë në të kaluarën, por mohoi kategorikisht se ka shitur lëndë narkotike: “E përdora dhe i bëra dëm vetes, por kurrë nuk e lejova veten të shisja,” tha Macellari gjatë seancës dëgjimore.

Pas dënimit, ai u dërgua përsëri në burgun Novate në Piacenza, ku tashmë po vuante një dënim me pesë vjet burg për veprat e tij të mëparshme penale.

Gjatë seancës, Macellari bëri deklarata spontane, duke theksuar se nuk kishte shitur kurrë drogë. Mbrojtja e tij, e përfaqësuar nga avokatja Monica Giuppi, argumentoi se hetimi paraprak nuk zbuloi prova të shitjes së drogës, duke theksuar se blerja lidhej me një varësi të kaluara që ai e kishte kapërcyer tashmë.

Një apel kundër këtij dënimi është në pritje, dhe do të shqyrtohet më vonë në gjykatën e apelit.

Top Channel