Juventusi mund të ketë marrë një goditje të fortë që në startin e sezonit.

Kenan Yildiz ka pësuar një dëmtim në këmbën e majtë pas vetëm një ndeshjeje kampionat, duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen e tij. Talenti turk, i datëlindjes 2005, u dëmtua në sfidën ndaj Frosinones dhe është paraqitur në qendrën mjekësore J Medical, ku ka kryer ekzaminimet e nevojshme. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për diagnozën, por mediat italiane raportojnë për një frakturë të mundshme në këmbën e majtë.

Sipas informacioneve të publikuara, situata mund të jetë më serioze nga sa pritej fillimisht. Yildiz rrezikon të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale dhe të qëndrojë jashtë fushave për rreth dy muaj, përpara se të nisë edhe faza e rikuperimit për të rikthyer formën optimale. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga stafi mjekësor i Juventusit brenda ditës së martë.

Rreth 10 ndeshje në kampionat jashtë

Nëse dëmtimi konfirmohet dhe Yildiz mungon për 8 deri në 10 javë, ai mund të humbasë rreth dhjetë ndeshje të Serie A. Në këtë periudhë Juventusi do të përballet me Parman, Milanin, Sassuolon, Atalantën, Cagliarin, Lazion, Leçen, Genoan, Napolin dhe Fiorentinën. Mungesës së tij mund t’i shtohen edhe ndeshjet e Europa League, kompeticion në të cilin Juventusi do të mësojë kundërshtarët pas shortit të së premtes.

Spalletti duhet të gjejë zgjidhjen

Dëmtimi i Yildiz është një problem i rëndësishëm edhe për Luciano Spallettin, i cili e konsideron turkun një prej elementëve kryesorë të repartit ofensiv. Në dispozicion të trajnerit për atë pozicion janë aktualisht Alajbegovic dhe Boga, ndërsa Juventusi mund të shqyrtojë edhe mundësitë që ofron merkatoja.

Një tjetër çështje që mund të lindë është ajo e listës së UEFA-s. Nëse Yildiz do të mungojë në fazën e parë të Europa League, Juventusi mund të marrë në konsideratë të mos e përfshijë fillimisht në listën europiane, duke i lënë hapësirë një tjetër lojtari. Për momentin, gjithçka mbetet në pritje të diagnozës përfundimtare. Por nëse konfirmohet fraktura dhe nevoja për operacion, Juventusi rrezikon të humbasë një prej talenteve të tij më të rëndësishëm për një pjesë të konsiderueshme të sezonit.

Top Channel