Alban MehaMesfushori


Futbollisti shqiptar është mes yjeve të këtij sezoni në kampionatin turk 


Injorimi i vazhdueshëm që i bëhet nga stafi i kombëtares shqiptare nuk ka penguar aspak Alban Mehën. Përkundrazi, futbollisti shqiptar vazhdon të shkëlqejë në kampionatin turk ku është kthyer që në vitin e tij të parë në një nga emrat më të njohur. Mesfushori 29-vjeçar po ndihmon me golat dhe asistet e tij skuadrën që të shkojë drejt një objektivi shumë të rëndësishëm, si vendi i tretë në klasifikim dhe pjesëmarrja për herë të parë në Kupat e Europës. Paraqitjet e tij kanë bindur drejtuesit e klubit që pas mbylljes së këtij sezoni të parë, jo vetëm të konfirmojnë vazhdimësinë e kontratës me lojtarin, por edhe ta rinovojnë atë deri në vitin 2019. Lojtarit do t’i ofrohet një kontratë e re trevjeçare, për t’u siguruar që klubet e mëdha turke nuk do t’ia rrëmbejnë Koniasporit këtë futbollist, duke i përmirësuar njëkohësisht edhe trajtimin financiar. Sipas gazetës “Fanatik”, bisedimet mes klubit dhe lojtarit do të zhvillohen menjëherë pas mbylljes së këtij sezoni, i cili do të hyjë në histori si më i suksesshmi për Koniasporin. Vetë Meha ka shprehur gatishmërinë e tij që të vazhdojë të qëndrojë pjesë e këtij klubi, ku është kthyer në një idhull për tifozerinë.