Tirana
Menjëherë sapo është marrë vesh që trajneri spanjoll Hulian Rubio Sançez ka shkuar në Vlorë për të firmosur kontratën me Flamurtarin, drejtuesit e Tiranës kanë marrë menjëherë vendimet për të mos e lënë ekipin pa trajner. Duke parë që pas javës së dytë të kampionatit, do të ketë dy javë pushim, pasi do të luajë ekipi kombëtar, Tirana e ka kohën e mjaftueshme për të përzgjedhur trajnerin. Tashmë Drejtori Teknik i Tiranës, Alban Tafaj ka marrë drejtimin e ekipit. Për më tepër ai deklaron: “Ishte diçka që pritej që Rubio të shkonte në Vlorë. Pas fjalëve që ishin përhapur se Shkëlqim Muça do të largohej nga Flamurtari që para një muaji, spanjolli nisi të “gërricej” me drejtuesit për kontratën dhe të mos pranonte kushtet tona. Tashmë është një fakt i kryer, jam unë ai që do të bëj rolin e trajnerit në ekip. Kemi kohë për të përcaktuar një trajner tjetër, i cili mund të jetë shqiptar ose i huaj. Ndeshjet e Kombëtares, të cilat startojnë pas një jave, na krijojnë lehtësime dhe na japin kohë për të menduar për trajnerin e ardhshëm. Për sa i përket Krenar Alimehmetit, që është përfolur për trajner të mundshëm të Tiranës, kjo nuk do të ndodhë. Ai është vetëm një anëtar i bordit drejtues. Për ndeshjen e radhës shpresoj të fitojmë. Gjithashtu, me prurjet e fundit mendoj se kemi bërë merkaton e duhur”.- përfundon Alban Tafaj, i cili nuk e ka herën e parë që drejton Tiranën. Ai ka qëndruar edhe më parë në krye të bardhebluve, duke i dhënë titullin e fundit kampion në vend, në vitin 2009.