Njeriu i momentit


Mesfushori beson te surpriza: “Kemi ardhur këtu për të fituar Europianin dhe ata e dinë”


“Në Gjermani e dinë që Italia mund t’ju bëjë gjëmën”. Andrea Pirlo është njeriu i momentit. Për penalltinë spektakolare ndaj Anglisë dhe për ndeshjet e mëdha që po zhvillon. Por mesfushori i Juventusit nuk dëshiron të ndalet me kaq. Regjisori i lojës së të kaltërve u bën presion gjermanëve, kundërshtarëve të gjysmëfinales, duke u kujtuar se gjithmonë janë eliminuar nga Italia në kompeticionet madhore. “Kemi ardhur këtu për të fituar. Gjermania është shumë e fortë në të gjitha repartet, por na ka frikë, sepse kundërshtarët tanë mendojnë se mund të përsëriten rezultatet e së shkuarës. Duhet t’u imponojmë lojën tonë, sikurse bëmë edhe ndaj Anglisë, sepse është mënyra e vetme sesi dimë të luajmë. Duhet të bëjmë lojën, por gjermanët krahasuar me anglezët luajnë më mirë dhe mund të na krijojnë probleme.” Itali–Gjermani do të jetë edhe një sfidë e veçantë mes Pirlos dhe Ëzil. Të dy shquhen për organizimin e lojës, por mesfushori gjerman luan disi më i avancuar, pikërisht në zonën ku dominon Pirlo. “Gjermania ka në përbërje lojtarë kampionë. Ëzil më pëlqen shumë, është ai truri i skuadrës, sikurse edhe te Reali i Madridit. Duhet të jemi të kujdesshëm nga lëvizjet e tij në fushë. Besoj se do të kem përballë pikërisht Ëzil, sepse luajmë pak a shumë në të njëjtën zonë të fushës.” Andrea Pirlo nuk ka iluzione sa i përket “Topit të Artë”. Ai e di mirë që me Kristiano Ronaldon ende në gjysmëfinale të Europianit, por edhe më Lionel Mesin që ka thyer çdo rekord të mundshëm këtë sezon, do të jetë thuajse e pamundur ta fitojë këtë çmim prestigjioz. “A do ta fitoj ‘Topin e Artë’? Për aq kohë sa jenë Mesi dhe Ronaldo në garë mendoj se do të jetë e pamundur”. E pamundur për Pirlon, por gjithçka mund të ndodhë nëse Italia e fiton Europianin, duke qenë se 32-vjeçari ka fituar edhe titullin Kampion të Serisë A me Juventusin.


 


Gjermania


Lëv: Të pjekur për të mundur Italinë


Joakim Lëv beson se ka ardhur koha që Italia të mos konsiderohet më “macja e zezë” për kombëtaren gjermane. “Pancerat” nuk ia kanë dalë të fitojnë ndaj të kaltërve në asnjë takim në kompeticionet madhore si Botërori apo Europiani, por Lëv shpreson që në ndeshjen e së enjtes t’a thyejë këtë “mallkim”. Në një intervistë për gjermanen “Welt” 52-vjecari tha se skuadra e tij vitet e fundit është përmisuar shumë dhe se nuk do të bazohet tek e shkuara. “Është e vërtete që gjithmonë e kemi patur të vështirë kundër Italisë, por kësaj radhe do të jetë ndryshe. Skuadra është pjekur dhe e etur për fitore”. Lëv bëri dhe një koment për sa i përket ndryshimeve në kombëtaren italiane nën drejtimin e Çezare Prandelit: “Që në miqësoren që zhvilluam në Shkurt të 2011, kuptova që ishte një tjetër Itali. Është një skuadër që nuk ka shumë të përbashkëta me ekipin e vjetër, pasi luan në një mënyrë më agresive dhe ka një stil loje shumë ndryshe. Për Pirlon mund të them që është lojtar i veçantë, kurse Baloteli është mjaft i zoti’.


 


Manuel Nojer


“Kujdes, Italia ka shpirtin e 2006-s”


Portieri i Bajernit të Mynihut e di se “Mannschaft”-i do të përballet me një detyrë të vështirë kundër axurrëve në gjysmëfinale të “Euro 2012”, të cilët kanë formuar një njësi të fortë si ekip. “Ne jemi të barabartë. Axurrët kanë rifituar frymën ekipore, ka shpirtin si në 2006-n, gjë që e patën humbur në Kupën e Botës 2010, tha Nojer për ‘La Gazzetta dello Sport’. Unë isha i sigurt se ata do të përparonin në gjysmëfinale kur pashë se si lojtarët italianë u përqafuan me njëri-tjetrin para nisjes së ndeshjes kundër Anglisë. Kjo tregon se atmosfera është elektrizuese përsëri në dhomat e tyre të zhveshjes”. Andrea Pirlo realizoi një penallti spektakolare ndaj Anglisë, në çerekfinale, ndërsa Nojer thotë se edhe ai, ashtu si Xho Hart, do të ishte i pafuqishëm për t’i rezistuar, nëse mesfushori i Juventusit do ta bëjë atë përsëri të enjten. “Gjuajtje e tij nga penalltia? Nuk mund të them asgjë, sepse ajo që bëri ishte e mrekullueshme. Ne, portierët, nuk e pëlqejmë ekzekutimin e penalltisë në këtë mënyrë, por secili ka mënyrën e tij për të reaguar”.