Kriza e Interit


Të mërkurën vjen në “San Siro” Roma për ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve


Morati pranon se ka marrë një këshillë nga Murinjo: “Si vazhdon të qëndrosh ende, edhe pse i ke të gjithë kundër?”


Inter Milan's coach Andrea Stramaccioni celebrates after defeating AC Milan in their Italian Serie A soccer match in MilanGjithmonë e më poshtë. Interi i ka thënë “lamtumirë” Champions League për këtë sezon, të cilën Stramaçoni kishte besuar gjithmonë se do ta arrinte. Por jo gjithçka është e humbur. Nesër kundër Romës, në “San Siro”, do të luhet ndeshja e kthimit e vlefshme për finalen e Kupës së Italisë (ndeshja e parë përfundoi 2-1 në favor të verdhekuqve). Përveç vendimeve të gabuara të gjyqtarëve, ndeshja kundër Kaljarit vuri në dukje se sa shumë po përhapet kriza zikaltër. Fizikisht dhe psikologjikisht. Përveç mungesave të shumta të njohura më parë, u shtohen dhe ato të fundit të Nagatomos, sezoni i të cilit mund të quhet i mbyllur, dhe ai Garganos. Është e paimagjinueshme që një klub si ai i Interit, i cili vetëm tre vjet më parë ishte klubi më i mirë në botë me tripletën e tij, të bjerë psikologjikisht pas një penalltie fantazmë dhe mos të ketë më forcën të reagojë. Kjo ndodhi kundër Atalantës dhe u përsërit me Kaljarin. Prandaj, ndeshja e gjysmëfinales së Kupës së Italisë kundër Romës, është shansi i fundit për Stramaçonin. Trajnerit zikaltër do t’i duhet të eksperimentojë me lojtarët e mbetur. Kjo, pasi në listën e të dëmtuarve janë plot 10 lojtarë. Këtu bien në sy tre sulmuesit Milito, Palasio dhe Kasano, lista vazhdon me emrat Kastelaci, Kivu, Obi, Stankoviç, Mudingai, Nagatomo dhe Gargano. Skeloto është i pezulluar. Ditët e fundit është folur për një rikthim të mundshëm tek Interi të Mirçea Luçeskut. Në rast se zikaltrit nuk fitojnë kupën, atëherë mendohet se Morati do të ndryshojë trajnerin dhe disa drejtues të klubit. Por vetë Morati e ka mbështetur Stramaçonin, duke thënë: “Nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të mbështes Stramaçonin, duke parë sesi ka vajtur ky sezon. Po luajmë një kampionat të vështirë dhe dramatik për sa u përket dëmtimeve, shpresoj se ai do të bëjë mrekullinë, që ndoshta me pak fat dhe fantazi mund të arrihet. Për sa u përket polemikave në lidhje me gabimet e gjyqtarëve, Morati pranon se ka folur me Murinjon, i cili e ka pyetur: “Si vazhdon të qëndrosh, duke i pasur të gjithë kundër?”.