VengerSouthgate mund të jetë trajneri i përkohshëm i Anglisë


Pas eliminimit befasues nga Europiani i Francës, Federata angleze ka filluar të mendojë për të ardhmen. Roy Hodgson dha dorëheqjen menjëherë pas humbjes me Islandën, duke detyruar drejtuesit e institucionit më të lartë të futbollit anglez që të kërkojnë pasuesin e tij. Orët e fundit, drejtuesit e Federatës Angleze të Futbollit janë takuar për të vlerësuar kandidatin më të mirë që mund të marrë përsipër të drejtojë skuadrën e “Tre Luanëve” dhe identikiti i përcaktuar prej tyre përkon me figurën e Wenger. Trajneri francez i Arsenalit ka një kontratë me klubin londinez deri në vitin 2017 dhe tek Anglia janë gati që të presin skadencën e saj për t’i dhënë atij çelësat e kombëtares. Claudio Ranieri, Steve Bruce, Eddie Hou, Sam Allardyce, janë disa prej trajnerëve të tjerë që janë marrë në konsideratë nga drejtuesit e Federatës Angleze, por asnjë nuk ka të njëjtën përvojë dhe njohuri të Premier League si Wenger. Në shtator nisin ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2018 dhe Anglisë i duhet me çdo kusht një trajner. Për këtë arsye, në Federatë po mendojnë që të vendosin një trajner të komanduar ku favoriti në këtë pikë është Gareth Southgate. Argumenti i stolit të Anglisë ka qenë ndër më të kuotuarit duke prekur madje dhe Shqipërinë duke qenë se ndër emrat e mundshëm për trashëgimin e Roy Hodgson është përmendur dhe ai i trajnerit aktual të kombëtares shqiptare Gianni De Biasi. Për futbollin anglez janë padyshim momente të vështira, që pas atij eliminimi të turpshëm nga Islanda, në atë që konsiderohet si një ndër poshtërimet më të mëdha futbollistike të atyre që iu pëlqen të kujtohen si njerëzit që shpikën futbollin.