Argjentina është në çerekfinale. Skuadra kampione në fuqi ka arritur një përmbysje të madhe 3-2 ndaj Egjiptit, nga ato që u rrëfehen nipërve pas shumë vitesh si histori brilante dhe frymzësuese.
Ndeshja nis plot gabime te të dyja skuadrat, me Egjiptin, që pa u mbushur çerek ore lojë arrin të prodhojë një moment të favorshëm dhe të shënojë me kokë me Ibrahim pas një krosi nga e djathta. Pas pesë minutash Tagliafico rrëzohet në zonë pas ndërhyrjes së një prej kundërshtarëve, arbitri nuk heziton të akordojë penallti. Messi e merr përsipër dhe ndalet nga portieri i “Faraonëve”, duke bërë një gabim që me kalimin e minutave do të peshonte rëndë.
Pas këtij episodi Argjentina ka edhe dy momente tejet të rrezikshme me Mac Allister dhe Messin, por fillimisht portieri e më pas shtylla i mohojnë barazimin. Në të 39-ën Alvarez ka një tjetër shans të artë, por portieri Shobeir arrin sërish ta ndalë në mënyrë spektakolare. Pjesa e dytë nis po aq keq për Argjentinën, teksa Egjipti është vrastar në kundërsulm. Pasi iu anulua një gol, Ziko arrin të shënojë në të 67-ën dhe t’i japë një tjetër “grusht” kampionëve në fuqi të botës. Pavarësisht kësaj goditjeje, Argjentina nuk ka ndërmend të dorëzohet.
Kur kishin mbetur edhe vetëm 10 minutë nga koha e rregullt, Romero shënon me kokë dhe pas vetëm pesë minutash Messi arrin të gjejë rrjetën për 2-2, duke ngritur në këmbë stadiumin dhe treguar se kjo skuadër nuk dorëzohet në asnjë moment. Argjentina nuk ka ndërmend ta lërë edhe këtë ndeshje në shtesë dhe me një kundërsulm arrin të shënojë me Fernandez për të çuar shifrat në 3-2 dhe përmbyllur një përmbysje të madhe, spektakolare dhe që tregon se jo më kot ky ekip është kampion bote./ Top Channel
