Legjionarët
Elbasanasi realizoi në minutat 12 e 17. Shënoi edhe shqiptari tjetër, Gëzim Shalaj
Ka ndryshuar skuadër, por jo zakonin e vjetër. Armando Sadiku vazhdon të mos ndalet së shënuari gola edhe te Lugano, ku kaloi merkaton e kësaj vere, kohë kur vendosi të braktisë përfundimisht ish-skuadrën e tij, Lokarnon, në radhët e të cilës luajti për një sezon të vetëm (2011-2012, 39 ndeshje, 28 gola). Në ndeshjen e së dielës për kampionat, në “Challenge League”, sulmuesi shqiptar ka shënuar një dopjetë në fitoren 4-1 të të tijve ndaj kundërshtarëve të Vohlen. Ka qenë pikërisht bomberi elbasanas, Sadiku, ai që ka zhbllokuar ndeshjen, duke gjetur rrugën e rrjetës në minutën e 12-të, për ta dhuruar avantazhin 1-0 Luganos, që luante këtë sfidë përpara tifozëve të saj. U desh të kalonin edhe shtatë minuta më vonë, që sulmuesi i Kombëtares kuqezi të dyfishonte shifrat, duke e vënë në shina të sigurta fitoren e skuadrës së tij të re, me të cilën nënshkroi vetëm gjatë kësaj vere. Pas tij radhën e ka pas një tjetër lojtar me origjinë shqiptare, Gëzim Shalaj, që e ka ngritur në 3-0 rezultatin për Luganon brenda 45 minutave të para. Mesfushori në fjalë ka mbërritur te klubi i Lugano nga FC Lucerna, ekipi ku luan ende edhe Jahmir Hyka. Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë miqtë kanë ngushtuar rezultatin me golin e shënuar nga Ianu në minutën e 56-të. Por ndeshja nuk është mbyllur këtu. Për të vulosur këtë sfidë me fitoren e “qëndisur” nga shqiptarët “shqiptarë” të Luganos, me rezultatin e pastër 4-1, është dashur edhe një gol i realizuar nga Botani në minutën e 73-të. Vlen të theksohet fakti se Sadiku ngjitet në kuotën e katër golave në gjashtë ndeshje me Luganon, teksa ka realizuar dy dopjeta, kjo e djeshmja ndaj Vohlen dhe më herët ndaj Biel Bienne. Me këtë fitore Lugano ka marrë vendin e parë në renditje me 13 pikë, një më shumë sesa Vinterthur që luan sot. Po dje ka zbritur në fushë edhe Jahmir Hyka me Lucernën e tij. Shqiptari e ka nisur takimin nga stoli dhe është aktivizuar sapo ka nisur pjesa e dytë, në vend të Gygaks. Sidoqoftë, shtatshkurtëri ynë kuqezi nuk ka arritur të bëjë asgjë për të shmangur humbjen 2-0 e të tijve brenda në shtëpi, përballë Grasshoperit. Nga një gol në secilën pjesë u ka dhënë tri pikët mysafirëve në këtë transfertë, të vlefshme për javën e 6-të të ligës së parë zvicerane.