Një histori e çuditshme vjen nga bota e futbollit. Louis Ben Farhat nuk do të jetë pjesë e Kupës e Botës që po troket. Dhe e gjeni dot se cila është arsyeja e këtij vendimi?

19-vjeçari që aktivizohet me skuadrën e Karlsruhes, konsiderohet si një nga talentet më të mëdha të Tunizisë dhe pritej që të ishte një nga emrat pikantë të turneut.

Megjithatë, sulmuesi i ri do t’a ndjekë Botërorin nga televizori, pasi trajneri i Tunizisë, Sabri Lamouchi, zbuloi se ishte babai i futbollistit ai që ia ndaloi rreptësishtë pjesëmarrjen.

“Mora një telefonatë nga babai i Louis Ben Farhat këtë mëngjes. Ai më tha prerë se ishte ende shumë herët që djali i tij t’i ngarkohej pesha e Kupës së Botës dhe e refuzoi zyrtarisht ftesën. U shokova! Menjëherë pas këtij thirra Louis-in në telefon, por ai nuk u përgjigj. Provova të lidhesha sërish me babain e tij, por as ai nuk e hapi më telefonin. Kjo është një mungesë e pastër respekti dhe fundi i kësaj historie”, u shpreh përzgjedhësi Lamouchi, duke lënë pa fjalë opinionin publik.

Arsyeja e vërtetë: Frika nga merkatoja?

Prapaskenat që qarkullojnë në mediat tuniziane tregojnë se arsyeja e vërtetë e këtij refuzimi lidhet me anën financiare dhe menaxhimin e karrierës. Familja e Louis Ben Farhat ka frikë se një paraqitje e dobët e Tunizisë në këtë turne madhor mund të ndikojë negativisht në imazhin e djalit dhe të ulë çmimin e tij në tregun e transferimeve.

Ky kalkulim i ftohtë ka sjellë një valë të madhe zemërimi te tifozët dhe opinioni sportiv në Tunizi, të cilët e shohin këtë si tradhti ndaj ngjyrave të kombëtares. Kujtojmë që Tunizia ndodhet në Grupin F, ku do të përballet me sfida tejet të vështira kundër Japonisë, Holandës dhe Suedisë.