Një përplasje e fortë ka shpërthyer në atletikën shqiptare, në prag të Lojërave Mesdhetare të Tarantos.
Në qendër të debatit është atleti David Nikolli, i cili pretendon se është lënë jashtë përfaqësimit të Shqipërisë, pavarësisht përgatitjeve të tij dhe faktit që, sipas tij, ndodhet në formën më të mirë të karrierës.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Nikolli ka ngritur akuza të rënda ndaj institucioneve që drejtojnë sportin në vend, duke përfshirë qeverinë, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, por edhe Federatën Shqiptare të Atletikës.
“Edhe pse jam atleti më i mirë i momentit që ka pasur Shqipëria në historinë e saj në distancat e mesme, dhe jam në formën time më të mirë, nuk jam thirrur”, shprehet Nikolli, duke pretenduar se i është mohuar mundësia për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi.
Atleti pretendon se ka kaluar një vit të tërë në përgatitje intensive, me shpenzimet e tij, ndërsa akuzon drejtuesit e sportit për mungesë vizioni, paaftësi në menaxhim dhe mungesë interesi për zhvillimin e sportit shqiptar.
Në deklaratën e tij, Nikolli përdor edhe gjuhë të ashpër ndaj zyrtarëve, duke thënë se atyre u intereson “vetëm të hanë ndonjë lek, qofte apo sufllaqe”.
Pavarësisht zhgënjimit, atleti shprehet se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga atletika dhe falënderon mbështetësit shqiptarë për përkrahjen.
Për të sqaruar situatën dhe për të marrë qëndrimin e palës tjetër, Top Channel kontaktoi zyrtarisht Federatën Shqiptare të Atletikës.
Federata ka përcjellë zyrtarisht për Top Channel pozicionin e saj mbi pretendimet e atletit, duke kundërshtuar versionin e paraqitur prej tij dhe duke dhënë sqarime mbi marrëdhënien institucionale me David Nikollin.
Sipas Federatës, prej më shumë se dy vitesh Nikolli ka shmangur komunikimin zyrtar dhe institucional me të, ndërsa angazhimi i tij në aktivitetet e atletikës shqiptare, sipas institucionit, është kufizuar kryesisht në pjesëmarrjen në Kampionatin Kombëtar.
Federata sqaron gjithashtu se Nikolli nuk ka marrë pjesë në disa aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare, duke përmendur në mënyrë specifike Ballkaniadën. Sipas versionit të Federatës, vetë sportisti ka argumentuar se nuk mund të merrte leje nga vendi i tij i punës në Itali.
Për Federatën, këto janë çështje që lidhen me angazhimet personale të sportistit dhe nuk mund t’i atribuohen institucionit si pengesa për përfaqësimin ndërkombëtar. Një tjetër element i rëndësishëm i sqarimit zyrtar të Federatës për Top Channel është fakti se, sipas saj, David Nikolli ka kërkuar zyrtarisht dorëheqjen nga ekipi kombëtar, pas përplasjes me institucionin.
Federata ka sqaruar gjithashtu se, pavarësisht akuzave dhe gjuhës së përdorur nga sportisti, ajo mbetet e angazhuar, sipas saj, për sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitetet ndërkombëtare. Kështu, pretendimet e David Nikollit për lënien jashtë Lojërave Mesdhetare kanë sjellë një përplasje të hapur me Federatën Shqiptare të Atletikës.
Nga njëra anë, atleti pretendon se është privuar nga mundësia për të përfaqësuar Shqipërinë në një aktivitet të rëndësishëm, ndërsa nga ana tjetër Federata, në sqarimin zyrtar të përcjellë për Top Channel, e lidh situatën me mungesën e bashkëpunimit institucional, mospjesëmarrjen në aktivitete ndërkombëtare dhe kërkesën e vetë sportistit për t’u larguar nga ekipi kombëtar.
Në këtë përplasje, tashmë mbetet për t’u sqaruar edhe pozicioni i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e cila është përfshirë drejtpërdrejt në akuzat e David Nikollit.
Top Channel
