Trajneri shqiptar Besnik Hasi duket se është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij profesionale. Burime pranë negociatave bëjnë me dije se tekniku 53-vjeçar është shumë afër arritjes së një marrëveshjeje me klubin Kalba FC në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas informacioneve të siguruara nga Top Channel, bisedimet mes palëve kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe marrëveshja pritet të formalizohet së shpejti. Kontrata e parashikuar do të ketë një kohëzgjatje dyvjeçare, duke i besuar Hasit drejtimin e skuadrës për projektin e ri sportiv të klubit.
Drejtuesit e Kalba FC e shohin trajnerin shqiptar si figurën e duhur për të rritur nivelin konkurrues të ekipit, falë eksperiencës së tij të gjatë në pankinat e disa klubeve të njohura në Evropë dhe Azi.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, prezantimi zyrtar i Besnik Hasit si trajner i Kalba FC mund të bëhet brenda pak ditësh, duke vulosur kështu rikthimin e tij në futbollin e Lindjes së Mesme.
