Babai i Lionel Messit, Jorge, ka lënë të kuptohet se djali i tij do të kthehet në Barcelonë pas sezonit të tij zhgënjyes debutues me Paris Saint Germain.

Ndërsa Jorge u kthye në Katalunjë pasi vizitoi Lionelin në Paris, kanali spanjoll Twitch Jijantes FC arriti të merrte një prononcim të shkurtër me të. Ata e pyetën se si po kalonte djali i tij dhe nëse ishte i lumtur në kryeqytetin francez, dhe në pjesën më të madhe Jorge qëndroi me gojë mbyllur.

Por pak para se të futej në makinën e tij për t’u larguar nga aeroporti, Jorge Messi la të kuptohet se ai “shpreson që Leo të kthehet në Barcelonë, një ditë”.

Messi u detyrua të largohej nga Barcelona verën e kaluar me klubin në krizë financiare dhe kufizime fiskale që do të thotë se ata nuk ishin në gjendje të përballonin kontratën e tij.

Ai çuditi botën duke njoftuar se po largohej në një konferencë shtypi në gusht, gjatë së cilës ai pranoi se donte të kthehej në klub “një ditë”.