Një valë reagimesh dhe kritikash ka shpërthyer në Argjentinë pasi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në emisionin “El Show del Verano” të Luzu TV u raportua gabimisht se Jorge Messi, babai i futbollistit Lionel Messi, kishte ndërruar jetë.

Lajmi, i cili rezultoi i pavërtetë, u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe mediat argjentinase, duke detyruar familjen Messi të reagojë publikisht për të sqaruar situatën.

Në deklaratën e saj, familja konfirmoi se Jorge Messi po kalon një problem serioz shëndetësor dhe ndodhet nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor, por theksoi se gjendja e tij po evoluon pozitivisht. Po ashtu, familjarët kërkuan që publiku të mos u besojë informacioneve që nuk publikohen nga burime zyrtare ose nga vetë familja.

“Vetëm rrethi më i afërt familjar ka informacion të saktë mbi gjendjen e Jorge-s. Çdo pretendim apo raportim tjetër që nuk vjen nga kanalet tona zyrtare nuk duhet të konsiderohet i besueshëm”, thuhej në reagim.

Ngjarja riktheu në vëmendje edhe emocionet e forta të Lionel Messit gjatë ndeshjes së Kupës së Botës kundër Algjerisë, ku pas golit të parë nga tre që realizoi, ylli argjentinas shpërtheu në lot. Pas takimit ai kishte deklaruar se po përjetonte një periudhë të vështirë personale, duke nënvizuar se arsyeja nuk kishte lidhje me futbollin.

Përballë reagimeve të ashpra, prezantuesja Florencia Peña vendosi të largohej nga Luzu TV. Pronari i kanalit dënoi publikisht incidentin, duke deklaruar se ajo që ndodhi nuk përfaqëson standardet dhe vlerat e medias.

Vetë Peña publikoi një mesazh ndjese drejtuar familjes Messi, ku shprehu keqardhjen e saj për pasojat që shkaktoi transmetimi i informacionit të pavërtetë.

“Jam thellësisht e tronditur dhe e turpëruar që u bëra pjesë e këtij gabimi. Informacioni më është komunikuar gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë dhe unë e kam konsideruar të verifikuar. Megjithatë, marr përgjegjësinë time të plotë dhe për këtë arsye kam vendosur të largohem nga emisioni”, shkroi ajo.

Në një intervistë të mëvonshme për mediat argjentinase, Peña tregoi se lajmi i ishte përcjellë përmes kufjes gjatë emisionit dhe se ajo e kishte transmetuar pa pasur mundësi ta verifikonte vetë.

“Jam shumë e prekur nga ajo që ndodhi. Nuk më ka ndodhur kurrë më parë një situatë e tillë. Më dhanë informacionin gjatë transmetimit dhe unë e përsërita duke menduar se ishte konfirmuar. Vetëm pak çaste më vonë kuptova se nuk kishte asnjë verifikim zyrtar”, u shpreh ajo.

Mes emocionesh, prezantuesja kërkoi gjithashtu që incidenti të mos sillte pasoja për pjesën tjetër të stafit të programit.

“E di që është një gabim shumë i rëndë, por nuk dua që askush tjetër të penalizohet për këtë. Përgjegjësinë e mbaj unë dhe kërkoj falje nga zemra familjes Messi dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo situatë”, përfundoi Peña.