images (4)Surprizë nga shkretëtira e Bahreinit: Mercedes, në krizë të premten, përmirësohet dukshëm me Niko Rosberg, i cili dhuron “pole”-n e dytë radhazi në këtë sezon për skuadrën me rezidencë në Shtutgart, pas atij të arritur nga Ljuis Hemilton javën e kaluar në Shangai: do të jetë një radhë e parë e gjitha gjermane, sepse përkrah Nikos, i dyti, do të niset tre herë kampioni i botës, Sebastian Fetel. Vendi i tretë për Alonson, i cili pasi ka bërë dy gabime, hoqi dorë në sulmin përfundimtar. Shumë kishin parashikuar një betejë mes tri skuadrave Ferrari, Red Bull dhe Lotus, ndërsa pritej të shihej në vështirësi Mercedes dhe në fakt kështu ndodhi për Ljuis Hemilton. Piloti britanik, ndonëse u rendit i katërti në provat zyrtare, do ta nisë garën pesë vende më poshtë për shkak të ndryshimeve në makinë, gjatë provave të lira. Fetel me Red Bull, falë xhiros së shpejtë në fund të provave, arriti të kapë vendin e dytë, duke spostuar një vend më poshtë spanjollin e Ferrarit, Alonso. Në krahun e Alonsos do të jetë Ferrari tjetër, ai i Masës, i cili kishte zgjedhur një strategji të ndryshme, duke u kualifikuar me gomat e forta: braziliani përfundoi në vendin e gjashtë, por do të fitojë dy pozicione kundrejt Hemilton dhe Veberit, të cilët u klasifikuan para tij, por janë ndëshkuar. Dhjetëshja e parë mbyllet nga Sutil, Raikonen dhe Batën.