Nuk mund të flitet më për rivalitet mes Bajernit të Mynihut dhe Borusias së Dortmundit pas javës së tetë të Bundesligës, pasi diferenca mes dy gjigantëve të futbollit gjerman ka arritur në 12 pikë.
Kampionët në fuqi të Gjermanisë pësuan humbjen e dytë në kampionat në derbin e Gjermanisë përballë Shalke 04, që me këtë fitore mbetet ekipi që mund të rivalizojë bavarezët, që nuk e patën aspak të vështirë të shkatërronin 5-0 në transfertë Fortunën e Dyseldorfit.
Në Signal Iduna Park, të besuarit e Hub Stivens befasuan që në minutën e 14 me holandezin Ibrahim Afelai, i cili çoi në ekstazë tifozët miq të pranishëm në stadium. Pjesa e dytë ofroi të tjera emocione, teksa pa u mbushur dy minuta lojë Hoger dyfishoi rezultatin pas një pasimi të saktë të Holtbit.
Reagimi i Borusias do të vinte vetëm 7 minuta më pas me polakun Levandovski, i cili kërceu bukur me kokë, pa i dhënë mundësi për të ndërhyrë portierit të Shalkes. Në minutat e mbetura trajneri Jurgen Klop e hodhi skuadrën e sulm, por rrezikoi të ndëshkohej nëpërmjet kundërsulmeve. Pikërisht në minutat shtesë Shalke duhet të kishte shënuar edhe golin e sigurisë, ndërsa vërshëllima e fundit e gjyqtarit ligjëroi fitoren krejtësisht të merituar të formacionit të Hub Stivens.
ss